PD me 100 familje rome në Durrës: Jetojmë më borxhe, pa ndihma, pa shkollim

Durrësi

PD me 100 familje rome në Durrës: Jetojmë më borxhe, pa ndihma, pa shkollim

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 18:33
Pamje nga vizita

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, u takua me banorë të komunitetit rom në Durrës, të cilët, sipas PD-së i kanë shprehur revoltën e tyre për braktisjen nga qeveria dhe bashkia.

Të goditur nga tërmeti dhe nga pandemia, ata tregojnë kushtet e vështira të jetës dhe pamundësinë për të shkolluar fëmijët, mungesën e ndihmës sociale dhe nëpërkëmbjen në zyrat e administratës.

“Jam me fëmijë të paralizuar në shtëpi. Jemi shtatë vetë në shtëpi dhe jam pa punë, pa asistencë, pa përkrahje sociale, pa një ndihmë nga shteti. Asgjë. Askush nuk na ka ardhur për librat, çantat, maskat. Askush nuk ka ardhur. Ne jemi të mbytur në borxhe për ushqimet që marr për fëmijët.”

“Jemi 14 vetë në një shtëpi, djali ka katër fëmijë, s’kemi asnjë ndihmë, bukë nuk kam t’u jap fëmijëve të hanë”, – thotë një banore.

“Fëmijët tanë romë janë të varfër, pandemia na ka mbytur fare, tërmeti na ka dëmtuar. Nuk kemi marrë asnjë ndihmë, asnjë bonus. Ndihmat na kanë ardhur nga Kosova. Nga qeveria nuk na kanë ardhur. S’kemi pasur asnjë mbështetje as nga Bashkia, megjithëse jemi rreth 100 familje.” 

Ndërsa ish-deputetja Albana Vokshi u shpreh se mjerimi i komunitetit rom e ka shkakun tek vjedhja që qeveria dhe autoritetet e tjera bëjnë përmes projekteve që janë dedikuar për komunitetin, por mbushin xhepat  e pushtetarëve.

“T’i bëjmë thirrje, jo qeverisë së sotme, sepse harrojeni që ajo do të mendojë për ju, ju ka lënë të braktisur kaq vite, por ne do të mundohemi që të rikthejmë vëmendjen ndaj komunitetit. Ju takon. Asgjë të jashtëzakonshme nuk do të bëjmë, vetëm do të zbatojmë ligjet, do të zbatojmë programet. Janë fondet që janë të dedikuara për komunitetin rom që vidhen dhe shkojnë në xhepat e tjetër kujt dhe nuk vijnë për mbështetjen tuaj. Nesër, kur të jemi në qeverisje t’ju japim atë që ju takon, që të mos dridheni që po vjen një oligark që t’ju rrëmbejë tokën apo pronën, që t’ju nxjerrë në rrugë dhe mos keni ku të strehoni fëmijët.”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat