3 të arrestuar në Durrës, në makinë iu gjetën 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, armë, granata dhe municione

Durrësi

3 të arrestuar në Durrës, në makinë iu gjetën 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, armë, granata dhe municione

Më: 1 qershor 2021 Në ora: 15:54
Pamje nga videoja

Tre persona janë arrestuar nga policia në Durrës që ushtronin veprimtari kriminale, ndërkohë që janë sekuestruar 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore. Report Tv mëson se personat e arrestuar gjatë operacionit të koduar "Binomi" janë Barim Flora, Ardjan Gjoka dhe Jemin Flora.

‘Finalizohet operacioni policor i koduar "Binomi". Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive dhe të armëmbajtjes pa leje.   Vihen në pranga 3 persona që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës,  në bashkëpunim me strukturat e tjera policore të DVP Durrës, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Binomi", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

B. F., 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale "Armëmbajtja pa leje" dhe "Vjedhja";  A. Gj., 33 vjeç dhe J. F., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Pas një hetimi njëmujor u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të kryer nga këta shtetas në fushën e trafikimit të armëve, lëndëve eksplozive dhe municioneve, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.

Bazuar në këto prova, në  vendin e quajtur "Mbikalimi i Shkozetit", Durrës, në kuadër të operacionit "Binomi", u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin   tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues shtetasin J. F. dhe pasagjerë shtetasit B. F. dhe A. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:

• 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;

• 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol;

• 3 granata dore luftarake;

• 4 aparate telefoni celular.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”.

Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak. 

Vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Durrës, për hetime të mëtejshme.’- njofton policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat