“Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve” - Durrës, i kërkojnë Presidentes Osmani dekorimin e familjes së Sadri Kapitit

Durrësi

“Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve” - Durrës, i kërkojnë Presidentes Osmani dekorimin e familjes së Sadri Kapitit

Nga: Xhevahir Cirongu Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 13:18
Xhevahir Cirongu

Gëzuar 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Duke marrë shkas se jemi ne prag të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, dhe nga ajo se gjatë aktivitetit kushtuar kësaj ngjarje madhore kombëtare, “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve” të Durrësit në unanimitet të plotë vendosem që t’i kërkojmë Zonjës Vjosa Osmani që ajo të dekorojë familjen e Sadri KAPITIT për ato kontribute të jashtëzaknshme që ajo ka dhënë për lirinë e Kosovës.Unë Xhevahir Cirongu si antar i këtij Klubi, por edhe si dëshmitar i atij aktiviteti të vëllezërve Kapiti vendosa që ta botoj këtë kërkesë- propozim, pasi edhe une vetë kam shkruar e pasqyruar në shkrimet e mia kohë më parë këtë aktivitet të KAPITËVE. Dekorimi i tyre nga Presidentja e Kosovës do ishte mirënjohje dhe respekt i merituar për këtë Famije, por njekohesisht kjo u bën nder edhe institucioneve të Kosovës si dhe ne “Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve” të Durrësit duke marrë në konsideratë atë se cfarë ne plotësisht më të drejtë dhe mëse të faktuar Ju kërkojmë Juve dekorimin e kësaj familje për kontribute të mëdha për lirinë e Kosovës dhe jemi habitur se si ka mundësi që Kosova nuk e ka dekoruar këte familje. Ne qytetarët durrsakë krenohemi dhe e resektojmë si vënd të shenjtë “Drenicën” e Durrësit, pikërisht për veprimtarinë e vëllezërve KAPITI gjatë luftës për lirinë e Kosovës, dhe prandaj edhe “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve” të Durrësit i kërkon Znj. Osmani dekorimin e familjes së Sadri KAPITIT.

Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës

Nr. Prot. 3, datë 25.01.2023

Lënda: Kërkesë-Propozim për dekorim të familjes Kapiti, Durrës, Shqipëri.

Drejtuar: Presidentes së Republikës së Kosovës, Znj. Vjosa Osmani.

E nderuara Znj. Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, me respekt dhe besim të plotë te Ju, bëjmë kërkesën si vijon:

Në Durrës banojnë vëllezërit Kapiti dhe familjet e tyre, pasardhës të patriotit të shquar Sadri Kapiti (nuk jeton), me origjinë nga Istogu i Kosovës. Pa përmendur kontributin e veçantë, që ka dhënë historikisht kjo familje, duke pasur edhe dëshmorë për lirinë e Kosovës, do të përqëndrohemi te vitet e Luftës për Çlirimin e Kosovës, 1998-1999, kur veprimtaria atdhetare e kësaj familje shkëlqeu. E ndodhur pranë Portit të Durrësit, Familja Kapiti vuri të gjitha mjediset familjare: njerëzit, shtëpinë, bisneset e gjithçka dispononin, në shërbim të çlirimit të Kosovës. Aty u pritën, u strehuan e u organizuan për të Luftuar në Kosovë kundër pushtuesve serbë me mijëra vullnetarë të ardhur nga Europa, Amerika e deri nga Australia. Ishin djem shqiptarë të Kosovës, të Shqipërisë, të viseve të tjera shqiptare të emigruar, si dhe miq të Kosovës nga popuj të tjerë të kontinentit. Pesë djemtë e Sadri Kapitit janë veteranë të UÇK.

Aktiviteti i vëllezërve Kapiti për lirinë e Kosovës është më se i dokumentuar me fakte,me shkrime, me libra, me filmime edhe nga mijëra dëshmitarë e vullnetarë të Luftës për Lirinë e Kosovës.Bashkia e Durrësit ka ndërtuar Memorialin “Luftëtari i Lirisë”, te “Drenica” e Durrësit(pronë e familjes Kapiti), në përkujtim të asaj qëndre mobilizimi dhe kontributit të kësaj familje për Kosovën. Për veprimtarinë atdhetare të Familjes së Sadri Kapitit është shkruar një libër studimor me karakter historik, titulluar “Patriotizmi jeton në përjetësi” nga historiani Bedri Tahiri. Në vazhdimësi, veteranë, historianë, profesorë, akademikë, intelektualë, poetë, shkrimtarë, artistë, publiçistë, personalitete të larta të institiucioneve shtetërore, si dhe shumë shoqata kulturore, artistike e patriotike, kanë evidentuar, vlerësuar e çmuar aktivitetin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Familjes së Sadri Kapitit për lirinë e Kosovës. Edhe ne, “Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit” e ndjejmë për obligim të kërkojmë pranë jush, që kontributi i kësaj familje të çmohet e të vlerësohet nga institucionet më të larta të Kosovës, siç e meriton. Të mbledhur në kuadër të veprimtarive përkujtimore kushtuar Pavarësisë së Kosovës, ne, njëzëri, propozojmë, që “Familja e Sadri Kapitit”(burra, gra e fëmijë) me banim në Plazh të Durrësit, të dekorohet me “Medaljen e Artë të Lirisë “ .

Mbetemi me besim dhe me shpresë, se Ju Presidentja e Kosovës, Znj. Vjosa Osmani, do t’a merrni në konsideratë kërkesën tonë për dekorimin e merituar të familjes së Sadri Kapitit nga Durrësi, mbështetur në të drejtën dhe kompetencat që ua jep Ligji dhe Kushtetuta.

Librin e përmendur më sipër, që përmban tërë dokumentet që argumentojnë veprimtarinë atdhetare të Familjes Kapiti, po ja bashkangjitim Kërkesës sonë.

Kryetari: Meçan Hoxha

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat