Durrës/ Vunë muzikë të lartë gjatë natës në lokalet që administronin, vihen nën hetim dy persona

Durrësi

Durrës/ Vunë muzikë të lartë gjatë natës në lokalet që administronin, vihen nën hetim dy persona

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 17:43
Foto ilustrim

Dy persona janë vënë nën hetim në Durrës, pasi kishin vënë muzikë të lartë, gjatë natës në lokalet që administronin tek “Shkëmbi i Kavajës”.

Nën hetim u vunë shtetasit L.  H., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe N. D., 23 vjeç, banues në Fier, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa pajisje për muzikë.

“Vijojnë patrullimet në terren dhe kontrollet në lokale, për të evidentuar rastet e ndotjes akustike. Kishin vënë muzikë të lartë, gjatë natës, në lokalet që administronin, dhe si pasojë kishin prishur qetësinë publike, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas. Sekuestrohen disa pajisje që gjeneronin muzikë. Si rezultat i patrullimeve të pandërprera në terren, për goditjen e paligjshmërive, në cilëndo formë të shfaqjes së tyre, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë konstatuar se në 2 lokale në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ishte vënë muzikë në tejkalim të nivelit dhe të orarit të përcaktuar.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë ndaluar vijimin e kësaj paligjshmërie. Për të dyja këto raste u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për administratorët e këtyre lokaleve, shtetasit L.  H., 33 vjeç, banues në Tiranë, dhe N. D., 23 vjeç, banues në Fier. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa pajisje që gjeneronin muzikë”, sipas policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat