Muzetë e mbyllur në Durrës, ende nuk janë hapur pas dëmeve të tërmetit

Durrësi

Muzetë e mbyllur në Durrës, ende nuk janë hapur pas dëmeve të tërmetit

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Në qytete antike dhe me fluks të lartë turistik, muzetë mbeten një nga atraksionet më të mëdha për turistët përgjatë të gjithë vitit, por në Durrës të dy muzetë kryesorë të qytetit janë të mbyllur pas dëmeve që pësuan nga tërmeti 4 vite më parë.

Muzeu Arkeologjik dhe ai Etnografik, në të cilin ndodhet edhe shtëpia muze e aktorit të madh Aleksandër Moisiu, kanë mbyllur dyert në pritje të restaurimit.

Është një gjë negative duke qenë se Durrësi është pika turistike shqiptare me numrin më të lartë të turistëve prej vitesh. Duke qenë se turizmi është një sektor në rritje, kjo është një mungesë shumë e madhe. Muzeu kryesor i Durrësit është i mbyllur dhe ka disa kohë që hapet e mbyllet për restaurim. Pikat turistike janë shumë të pakta. Është vetëm Amfiteatri, Kalaja dhe Torra Veneciane e rihapur së fundmi”, tha një qytetar.

Është një çështje mjaft e rëndësishme përsa i përket turizmit dhe peshës që kanë muzetë në tërheqjen dhe angazhimin e turistëve, të të shtuarit të atraksioneve në qytet. Ato janë pikat e para ku një turist ndeshet me kulturën, historinë e traditat e një vendi. Dhe këto muze në Durrës janë të mbyllur. Cështja shtrohet a është menduar më herët një strategji se ku do të orientohen turistët para se të mbylleshin në të njëjtën kohë të dy muzetë”, u shpreh Dorina Xheraj, muzeologe.

Procesi i përmirësimit të infrastrukturës kulturore dhe turistike të Durrësit 3000-vjeçar është mirëpritur si një domosdoshmëri për të pasur objekte të sigurta dhe bashkëkohore që ruajnë dhe ekspozojnë pasurinë e trashëgimisë sonë ndër shekuj. Por ende nuk ka një afat se kur muzetë e Durrësit do të hapen për vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj, ndaj qytetarë e specialistë kërkojnë mundësi dhe strategji të reja.

“Jo vetëm dy muze, por duhet të hapen dhe pika të tjera për turistët që vijnë në Durrës. Kjo është për përmirësimin e turizmit dhe mikpritjen e turistëve”, tha një tjetër qytetar.

Ofertat e mundësitë janë pafund, por duhet të themi që muzeu duhet të dalë nga muret për t’u bërë më i prekshëm nga qytetarët, shkollat e turistët. Formatet, mundësitë janë që muzetë të dalin e të angazhojnë qytetarët përmes një programi që duhej menduar pak më herët”, shtoi Xheraj.

Për shkak të punimeve të paparashikuara, projekti për restaurimin e Muzeut Arkeologjik është në proces rivlerësimi pasi kërkon ndërhyrje dhe fondeve të tjera. Ndërkohë Muzeu Etnografik i Durrësit, i ngritur në një banesë qytetare me çardak, që i përket gjysmës së dytë të shek. XIX dhe i restauruar në vitin 1983, është në pritje të restaurimit të ri.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale e ka miratuar projektin për restaurimin e kësaj godine, por ende asnjë ndërhyrje nuk është bërë në këtë muze që qëndron i mbyllur prej 4 vitesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat