Sipërmarrësi i suksesshëm Demaj, tregon se si do zhvillohej Kosova ekonomikisht

Ekonomi

Sipërmarrësi i suksesshëm Demaj, tregon se si do zhvillohej Kosova ekonomikisht

Më: 13 mars 2019 Në ora: 16:15
Edi Demaj

Kosova duhet të jetë e orientuar në zhvillimin e shërbimeve jashtë vendit që të zhvillohet ekonomikisht. Kurse, ndërmarrësit duhet të kenë ekipet me të cilët fitojnë së bashku, e nuk pasurohen vetëm për vete.

Kështu thotë Edi Demaj, bashkëthemelues i “Rocket Fiber” me bazë në Detroit dhe i disa kompanive të tjera, në një bashkëbisedim me studentët e AUK-ut.

Kështu studentët patën rastin të njihen nga afër me rrugën që ky sipërmarrës i suksesshëm ka ndjekur për të arritur deri këtu ku është, ndërsa patën rastin të marrin edhe këshillat e tij për ndërmarrësinë.

Demaj ka treguar për ditën kur ka filluar themelimin e kompanisë të parë të tij, kur edhe ka filluar gjithçka. Për të arritur suksesin, ai thotë se duhet insistuar shumë në mënyrë që ideja të rezultojë e suksesshme praktikisht.

Demaj: Kosova do të zhvillohej më shumë ekonomikisht nëse kish me u fokusu në burimet e jashtme

“Nëse kishim me u koncentru më shumë në këtë anë në Kosovë, ekonomia e Kosovës do të kishe me shku shumë më përpara. Diçka që më ka bërë me u ndje më mirë në Kosovë në këto dy vite, është koncentrimi për me investu në anën e IT-s. Kjo është diçka shumë e mirë. Nuk do të thotë të gjithë me e ndërtu një produkt për me mbërri diçka. Janë disa njerëz që janë shumë të mirë në ‘outsourcing’”, tha Demaj.

Ai tha se financat, kontabiliteti dhe kontratat janë bazat që çdo ndërmarrës duhet t'iu kushtojë rëndësi, por shtoi se po aq e rëndësishme është edhe njohja e ligjit.

Sipas tij, është jetike që një person që dëshiron të themelojë një kompani, së pari të prezantojë idenë e tij, e të mos jepet fillimisht pas numrave.

Për këtë ai tha se “njerëzit që ndjekin numrat, kurrë s’bëjnë para”.

Demaj: Njerëzit që veç ndjekin numrat, kurrë s’bëjnë para

“Mendoj se është më mirë me e shit njëherë idenë si ide, mandej me u marrë me numrat. Eksperienca jem me investitorë, dhe me njerëz që kanë ardhë me ide, e shpjegojnë idenë ku vërehet që ai është me aq pasion, e do punën që do me bë, e ka studiuar tregun, hala pa iu hy numrave ai veç 60 për qind fiton. 40 përqindëshi është pjesa e numrave. Unë kam pas eksperienca kur plani ka qenë tepër i mirë, po kah numrat personi nuk ka ditë me i koordinu mirë numrat. Mirëpo, ka njerëz me ide perfekte. Një njeri nuk mundet me bë kurrgjë, kështu që duhet me ndërtu ekip......  Besoj që njerëzit që veç ndjekin numrat, kurrë s’bëjnë para”, tha ai.

Sipërmarrësi nga Amerika, thotë se gjithmonë dëshiron që të nxisë të tjerët të investojnë në Kosovë, pasi edhe këtu mund të bëhet diçka e mirë.

Demaj: Gjithmonë kam dashur me i lidhë idetë e mia me Kosovën

“Prej kur kam menduar të bëj diçka timen, gjithë ka qenë ideja qysh mundem me i lidh me Kosovën. Të ngreh vendi yt. Edhe njëra prej mënyrave, ka qenë Gjirafa, që jam involvu me Gjirafën. Gjirafa ka qenë kompania e parë ‘start up’ që ka marrë investim 2 milionë prej jashtë, e tash raundi tjetër mundet me qenë më i madh. Kështu që, ajo ka qenë ideja e parë qysh me ndërtu diçka në Kosovë, që ndoshta edhe nëse nuk ka me qenë gjëja më perfektë, kish me qenë e mjaftueshme me i bë tjerët me besu që edhe kë tu mundesh më bë diçka. Ai ka qenë qëllimi i Gjirafës, përveç që me e ndërtu një ekonomi të internetit. I dyti, që jemi duke e bë tash, është me e ndërtu një kompani që është ‘Kodelabs’, që ne mendojmë që ka me e mbërri një vlerë njëjtë me disa kompani, po që e ka një bazë të zhvillimit në Kosovë”, u shpreh ai.

Ai tha se fjalën ‘punëtor’ nuk e përdorin, pasi thotë se ekipi bashkëpunon në mënyrën më të mirë të mundshme.

Për këtë ai dha një sugjerim për të gjithë pronarët e kompanive.

Demaj: Si pronar, nuk duam të pasurohemi vet, të pasurohen edhe punëtorët

“Me e pas ekipi mentalitetin e pronarit, jo veç të punëtorit, për arsye se nuk besojmë që nëse veç je punëtor e jep 100 për qindëshin. Me pas ekipi mentalitetin e pronarit, jo veç të punëtorit, pasi që nuk besojmë që nëse veç je punëtor e jep 150 përqindëshin. Tash këtë po duam me e nda, nuk po duam me qenë veç na njerëzit që pasurohemi”, theksoi ai.

Në fund, Demaj tha se nëse ndonjë studentë i interesuar i AUK-ut dëshiron të kontaktojë me të për të prezantuar idetë e tyre në mënyrë që të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit, atëherë patjetër se do t’i përgjigjet pozitivisht për atë që mund të ndihmojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat