ASK: Në TM4 2018, niveli i papunësisë është 31.4 për qind

Ekonomi

ASK: Në TM4 2018, niveli i papunësisë është 31.4 për qind

Më: 19 mars 2019 Në ora: 15:39
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi sot rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt 2018, sipas të cilave dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, ku përfshihen moshat 15-64 vjeçare, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42%.

Anketa ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3.488 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për TM4 2018 është 28.8%, ndërsa punësimi më i lartë është te meshkujt 45.2%, derisa punësimi te femrat është 12.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.9 %, ndërsa meshkujt në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17%, ndërtimtaria me 12.1%, prodhimi me 11.1%, arsimi me 10.6%, ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 33.8% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 66.2% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë është 31.4%, ku më e theksuar është te femrat me 38%, krahasuar me meshkujt, 29.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.3%, derisa fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0%, me fokus të veçantë te femrat me 79.5 %, krahasuar me meshkujt, 36.1%.

Ndryshe, për realizimin e AFP-së, TM4 2018, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat