Në Shqipëri, norma vjetore e rritjes ekonomike shënoi 4.5% në tremujorin e tretë të vitit 2018, bëri të ditur sot Banka e Shqipërisë, gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.
Sipas Bankës Qendrore, në rritjen ekonomike kontribuuan sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve.
Rritja e kërkesës agregate u mbështet nga zgjerimi i konsumit final të popullatës dhe investimet, kryesisht ato private.
Në terma vjetorë, deficiti i llogarisë korrente u zgjerua në tremujorin e katërt të vitit, por ai u mbulua plotësisht nga tepricat në llogarinë kapitale dhe financiare.
Vijimi i zhvillimeve pozitive në tregun e punës u konfirmua me rënien e normës së papunësisë në nivelin 12.3% në fund të vitit. Gjatë periudhës, Banka e Shqipërisë ruajti politikën monetare lehtësuese dhe ndërhyri në tregun e këmbimit për të frenuar ndikimin e mbiçmimit të lekut në arritjen e objektivit për normën e inflacionit. Në fund të periudhës, norma e inflacionit shënoi 1.8%, pa ndryshime kundrejt një viti më parë. Politika fiskale ka ruajtur prirjen për konsolidim fiskal. /ATSH