Oda e Afarizmit të Kosovës është takuar sot me bizneset të sektorit minerar ku u diskutua për hapat që do të ndërrmarin si pasojë e mos reagimit të ministres së Bujqësisë Dijana Zhiviq lidhur me ndryshimin e udhëzimeve administrative të cilat kufizojnë tokën me kohëzgjatje deri 5 vjet, sipërfaqen 5 hektar dhe çmimi prej 2000 euro për hektar në vit.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi të gjitha aktivitetet e deritanishme që janë ndërmarr nga OAK në bashkëpunim me bizneset, me qëllim të arritjes së krijimit të lehtësirave për këtë sektor, duke shtuar që të gjitha këto takime u realizuan me qëllim të ndryshimit të udhëzimeve administrative që po pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori dhe njëkohësisht po largojnë investitorët e huaj.
“Përfaqësuesit e bizneseve të sektorit minerar, shprehën shqetësimin e tyre, duke kërkuar nga Ministrja Zhiviç që të kthej përgjigje, ashtu siç ka premtuar në takimin e fundit të realizuar, që deri më datën 2 maj do të njoftojë në lidhje me veprimet që do të ndërmarr, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, thuhet në komunikatë.
Bizneset u zotuan që do t’i përdorin të gjitha metodat ligjore për të ndryshuar këto udhëzime, të cilat do të lejojnë lulëzimin e një nga sektorët më me potencial në vend, në të kundërt do të realizojnë edhe protesta para Ministrisë dhe Qeverisë së Kosovës.