Alarmon Rukiqi: Bizneset po dëmtohen, Qeveria urgjentisht t’i mbulojë dëmet - Bota Sot
Alarmon Rukiqi: Bizneset po dëmtohen, Qeveria urgjentisht t’i mbulojë dëmet

Ekonomi

Alarmon Rukiqi: Bizneset po dëmtohen, Qeveria urgjentisht t’i mbulojë dëmet

Më: 16 korrik 2020 Në ora: 19:54
Berat Rukiqi

Vendosja e masave të reja kufizuese nga Qeveria e Kosovës, e poashtu edhe ndalimi i veprimtarisë së disa bizneseve me qëllim të parandalimit të rasteve me Covid-19, ka bërë që të rriten pakënaqësitë tek këto të fundit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë që kufizimi i lëvizjes dhe ai i ushtrimit të veprimtarisë për disa biznese ka ndikuar negativisht posaçërisht në sektorin e gastronomisë.

“Kemi një fluks shumë simbolik të ardhjes së mërgimtarëve dhe shumë probleme që lidhen me fuqinë blerëse, atëherë kjo pjesa e fundit e kufizimeve veç e ka dëmtuar këtë sektor në shkallën që e ka shumë vështirë që të rikuperohet pavarësisht nga ndihma e mundshme e Qeverisë”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi ka theksuar se ka vullnet edhe nga bizneset për të dhënë hapësirë për menaxhimin sa më të mirë të pandemisë dhe të shëndetit publik të qytetarëve.

“Secili biznes është i interesuar që të menaxhohet kjo situatë me shëndetin publik që sa më shpejt të kthehemi në një situatë ku pastaj ekonomia do të jetë prioritet dhe jo numri i madh i rasteve dhe i fataliteteve nga pandemia Covid-19”, ka thënë ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se Qeveria duhet të jetë në gatishmëri për t`i kompensuar dëmet që janë duke i`u shkaktuar bizneseve pas vendosjes së masave kufizuese.

“Kjo nuk nënkupton që të mos merremi edhe me pjesën ekonomike dhe të mos merremi me kërkesat e këtyre bizneseve që janë të drejta. Kryesisht këtyre bizneseve pavarësisht që nuk punojnë me kapacitet të plotë, ose disa prej tyre nuk punojnë fare, kostot fikse ju mbesin. Ne po konsiderojmë që ato duhet të mbulohen nga ana e Qeverisë, për periudhën se sa do të zgjasin kufizimet”, ka thënë Rukiqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat