Ballkani Perëndimor ballafaqohet më papunësi të të rinjve

Ekonomi

Ballkani Perëndimor ballafaqohet më papunësi të të rinjve

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Shifrat e prezantuara në Laboratorin e Rinisë së Ballkanit Perëndimor, projektit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), të organizuar sot në Budva të Malit të Zi, flasin se papunësia është problemi më i madh me të cilin ballafaqohen të rinjtë e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, në Kosovë në veçanti.

Përmes një komunikate për media nga kjo organizatë thuhet se anketat e realizuara me të rinjtë e të gjitha shteteve Ballkanike tregojnë shifra të larta të përgjigjeve të të rinjve të cilët thotë se papunësia dhe edukimi jo cilësor po ndikojnë më së shumti në ofrimin e një perspektive të sigurtë në jetën e tyre.

35.1 % është mesatarja e papunësisë së të rinjve në rajon.

"Ndërkaq, 62 % e të rinjve e konsiderojnë papunësinë si problemin më të madh me të cilin ata ballafaqohen, të përcjellë nga 14 % të të tyre që mendojnë se pamundësia e qasjes në edukim cilësor, është problemi i dytë për ta", thuhet në komunikatë.

“Mundësitë e papërshtatshme të punësimit janë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen të rinjtë.  1 në 3 të rinj janë të papunë,  që përkthehet në më shumë se dyfishi i shkallës së papunësisë së të rinjve në BE, 17%. Por, në një notë pozitive, 43% e të rinjve konsiderojnë se është më e rëndësishme ajo që i bashkon se sa ajo çka  i ndan. Bashkëpunimi rajonal funksionon. Çdo veprim e aksion që ndërmerrni,  i jep mundësi vendeve  tuaja të jenë një hap më pranë mundësive më të mira të punësimit për të rinjtë,” tha sot në Budva Pranvera Kastrati, Koordinatore E Tregut të Përbashkët në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në hapjen e Konferencës Përfundimtare “Laboratori i Politikave Rinore për Papunësinë e të rinjve”.

Veprimtaria, e quajtur "Jepi zë të rinjve, një rajon  i përshtatshëm për JU, organizuar nga Projekti i KBR për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor, mblodhi më shumë se 40 të rinj dhe politikëbërës nga i gjithë rajoni, për të prezantuar aktivitetet e tyre dhe zgjidhjet për çështjet e të Rinjve.

Ditjon Fetahu, Menaxher i Projektit në Këshillin Rinor të Kosovës, duke potencuar se Kosova ka popullsinë më të re në Ballkan, ka thënë se shteti akoma nuk ka krijuar një mjedis për shfrytëzimin e plotë të këtij potenciali të madh. Rrjedhimisht, edhe përqindja e të rinjve për të dalë nga Kosova është jashtëzakonisht e madhe.

“60 për qind e popullsisë së Kosovës janë nën moshën 30 vjeçare. Meqë edhe papunësia është në nivele të larta, edhe numrat e të rinjve të cilët dëshirojnë ta lënë Kosovën për të dalë e punuar në Bashkimin Evropian, është shumë e madhe. Natyrisht, këtu ndikojnë shumë rrethana të tjera që kanë ngritur këtë përqindje, duke u nisur nga mungesa e liberalizimit të vizave, sistemi arsimor jo cilësor, mungesa e një sistemi shëndetësor jo të qëndrueshëm e të sigurt dhe, natyrisht, mungesa e një ekonomie që ofron perspektivë dhe punë të qëndrueshme për ta.”, ka thënë Fetahu.

70 % e të rinjve të Ballkanit Perëndimor besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të ishte gjë e mirë për ekonomitë e tyre respektive, ndërsa 93 % besojnë administratat publike në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të forcojnë mekanizmat për konsultimin dhe përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje.

Sejnur Veshall, zëvendësministër i Kulturës në Kosovë, ka thënë se Qeveria po punon për fuqizimin e një mjedisi që siguron më shumë mundësi për të rinjtë.

“Qeveria ka ndarë 20 milion euro për realizimin e projekteve dhe ideve të reja. Posaçërisht në idetë inovative. Qëllimi ynë që të krijojmë një treg që është në gjendje të përfshijë sa më shumë kërkesat e të rinjve për punë dhe realizimin e tyre.”, ka thënë Veshall.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat