Rusinovci: Subvencionet të jepen para periudhës së mbjelljes

Ekonomi

Rusinovci: Subvencionet të jepen para periudhës së mbjelljes

Më: 21 gusht 2022 Në ora: 16:42
Foto ilustrim

Ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se masat stimuluese sikurse subvencionet që jepen ekskluzivisht për kulturat strategjike, janë të mirëseardhura për fermerët. Eksperti i Bujqësisë, profesor Ymer Rusinovci, për Radio Kosovën thotë se këto subvencione duhet të jepen në prag të përgatitjeve për mbjelljet.

Bujqit në Kosovë, shpeshherë kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që pagesat për subvencione t`u shpërndahen para fillimit të mbjelljeve vjeshtore apo pranverore. Një shqetësim të tillë, tash e sa kohë e ka edhe bujku Selmon Shala nga Komuna e Pejës. Ai thotë për Radio Kosovën se pagesat e subvencioneve, do të ishte mirë të bëheshin para periudhës së mbjelljes, megjithëse shton se bujku paraprakisht duhet ta bëjë edhe planifikimin për mbjellje.

“Për fermerin është më e mirë, sepse mjetet i duhen në pranverë, apo vjeshtë, para se të kryhen mbjelljet. Por, nganjëherë është problem të paguash pa e ditur se çka ke mbjell dhe e ke kryer mbjelljen”, thatë  Shala.

E, pas procedimit për pagesë të 7 milionë eurove subvencione, për më shumë se 5 mijë bujq, eksperti i bujqësisë, Ymer Rusinovci, vlerëson se shpërndarja e masave stimuluese të këtij viti, para afatit optimal agroteknik të mbjelljes së grurit, është një hap i mençur. Megjithëkëtë  Rusinovci ia rekomandon Ministrisë së Bujqësisë që masat stimuluese të shkojnë gjithmonë te fermeri i merituar.

“Mendoj se fermerët si shtresa më e shenjtë e shoqërisë që target të prodhimit  e kanë ushqimin e kjo është veprimtari humane, duhet të jenë të respektuar dhe të lirohen nga procedurat burokratike që të mos grumbullojnë shume letra. Por monitorimi duhet të jetë korrekt në terren për faktin se viteve të mëparshme janë vërejtur keqpërdorime të subvencioneve”, thotë ai.

Rusinovci gjithashtu thotë se ka vend që të shtohet buxheti për bujqësinë dhe kjo duhet të bëhet në bazë të ngritjes ekonomike. Sipas tij, krahas masave stimuluese, duhet të mendohet në të ardhmen që të shtohen dhe të sigurohen rezervat shtetërore për shumë artikuj strategjikë. Ai, po ashtu potencon se është urgjente që të krijohet një fond për bujqësinë në rast të fatkeqësive natyrore.

“Bujqësia është fabrikë që nuk ka kulm. Rezultatet në bujqësi maten gjithmonë në fund të periudhës vegjetative kështu që masat stimuluese dhe buxheti duhet të shtohen”shtoi ai.

Ndryshe, 7 milionë euro janë proceduar në orët e para të ditës së premte  për pagesë, ku  do të përfitojnë 5 mijë e 715 bujq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat