​Komisioni për Ekonomi miratoi Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve

Ekonomi

​Komisioni për Ekonomi miratoi Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 14:18
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me vota unanime ka miratuar në parim Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve.

Arsyetimin e projektligjit në mbledhjen e të mërkurës e dha ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Para anëtarëve të komisionit, ajo tha se nevoja për këtë projektligj është mbrojta e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve.

Hajdari: Nevoja për këtë projektligj është niveli më i lartë i mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë publike

“Sa i përket sigurisë së produkteve, arsyeja kryesore për rregullimin e kësaj fushe përmes këtij projektligji është sigurimi i një niveli më të lartë të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve që përdorin produktet, si dhe përdoruesve të tjerë që përdorin produktet për nevoja të tyre në kryerjen e veprimtarive të tyre profesionale. Rrjedhimisht do të sigurojë vendosjen në treg të produkteve ekskluzivisht të sigurta dhe do të parandalojë prodhimin, importin dhe eksportin të produkteve mashtruese”, tha ajo.

Kryetari i komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, pyeti ministren se a ka bërë ndonjë analizë në raport me ligjin aktual dhe zbatueshmërinë e tij.

Shala: A ka ndonjë analizë që ministria ka bërë në raport me ligjin aktual

“A mund të na thoni në pika të shkurta nëse mundeni, a ka ndonjë analizë ose ndonjë mendim që ministria ka bërë në raport me ligjin që ka qenë aktual në fuqi dhe cilat do të jenë përparësitë e ligjit që do të hyjë në fuqi”, pyeti Shala.

Ministrja tha se pas një analize të bërë nga MINT, janë vërejtur shumë parregullsi të vendosjes së produkteve në treg. Andaj, ka qenë e nevojshme të plotësohet legjislacioni në fuqi.

Hajdari: Janë vërejtur shumë parregullsi të vendosjes së produkteve të tregut

“Në tërësi pas një analize të mirëfilltë dhe krijimit të koncept dokumentit janë vërejtur shumë parregullsi të vendosjes së produkteve të treg që kanë sjell në vështirësi edhe identifikimin e rrezikshmërisë së produktit dhe kanë cenuar sigurinë publike të konsumatorëve”, tha ajo.

Krahas kësaj, ministrja Hajdari tha se ky Projektligj është harmonizuar me Ligjin për kundërvajtje. Votën pro këtij projektligji e dhanë edhe anëtarët e komisionit nga radhët e opozitës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat