Raporti i BE-së: Sistemi financiar në Kosovë është i qëndrueshëm

Ekonomi

Raporti i BE-së: Sistemi financiar në Kosovë është i qëndrueshëm

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Pavarësisht sfidave ekonomike globale për shkak të niveleve të larta të kapitalizimit të sektorit bankar me pronësi të huaj, sektori financiar në Kosovë mbetet i qëndrueshëm.

Kështu vlerësojnë përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Reagimi i BQK-së vjen pas raportit të Fundit të Komisionit Evropian, i cili njeh masat e ndërmarra nga ana Banka Qendrore në qëndrueshmërinë e sektorit financiar.

BQK, siç thuhet në komunikatë për media, e ka mirëpritur raportin e publikuar për Kosovën nga Komisioni Evropian, i cili ka vlerësuar se në gjysmën e parë të këtij viti, kreditë shënuan rritje prej 17%. 

“Rritja e kredive u lehtësua nga normat e ulëta të interesit, rritja e vazhdueshme e depozitave, përmirësimi i zbatimit të kontratave dhe rritja e garancive të dhëna nga Fondi Kosovar për Garanci të Kredive (FKGK) për kreditimin e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme për të zbutur ndikimin e krizës. Gjithashtu, norma mesatare e kredive joperformuese në gjysmën e parë të vitit 2022, ishte 2.1% dhe kjo përqindje u mbajt falë rritjes së lartë të kredive”, thuhet në njoftim e BQK-së.

Kosova sipas raportit, në mënyrë të moderuar është e përgatitur në fushën e shërbimeve financiare.

Gjithashtu, raporti sipas BQK-së, vlerëson progresin edhe në adresimin e çështjes së automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara. Në këtë sfond, Banka Qendrore e Kosovës ka vazhduar të harmonizojë kornizën e saj ligjore me kërkesat e “Basel III”, sa i përket kapitalit dhe menaxhimit të rrezikut.

Sa i përket sigurimeve dhe pensioneve, Banka Qendrore duhet të rritë rolin mbikëqyrës në industrinë e sigurimeve. Në lidhje me liberalizimin e çmimeve në tregun e sigurimeve të detyrueshme, Komisioni sipas BQK-së, ka kërkuar që çfarëdo proces i liberalizimit të çmimeve duhet të fillojë në mënyrë graduale me qëllim të shmangies së çrregullimeve në treg.

Komisioni Evropian, ndërkaq ka sugjeruar që vitin e ardhshëm të harmonizohet më tej korniza ligjore e Kosovës me Direktivën e BE-së për Shërbimet e Pagesave 2.

Sipas BQK-së, KE ka kërkuar përpjekje të shtuara për të luftuar krimin ekonomik dhe financiar, si dhe përafrimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit me aktet (aquis) të BE-së, pastaj forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat