​Dogana e Kosovës merr pjesë në konferencën e Organizatës Botërore të Doganave për Teknologji në Holandë

Ekonomi

​Dogana e Kosovës merr pjesë në konferencën e Organizatës Botërore të Doganave për Teknologji në Holandë

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 16:03
Foto nga vendngjarja

Dogana e Kosovës ka qenë pjesë e konferencës së Organizatës Botërore të Doganave për Teknologji, e cila për tri ditë ka mbajtur punimet në Mastriht të Holandës.

Konferenca ka ofruar mundësi për t’u informuar rreth teknologjive, sistemeve dhe praktikave të reja në fushën e Doganave. Konferenca në theks ka vënë shkëmbimin e informatave dhe përvojave në mes Doganave dhe Doganës me bizneset dhe qytetarët, për të mundësuar lehtësira dhe reduktim të kohës së zhdoganimit.

Ngjashëm, theksi gjatë punimeve është vendosur mbi rëndësinë e aplikimit të Inteligjencës Artificiale (IA), koncept ky që vlerësohet si risi revolucionare në fushën e Doganave.

Përgatitjet për aplikimin e Inteligjencës Artificiale ka filluar edhe Dogana e Kosovës.

Si rezultat i koordinimit me projektin e BE-së për Financat Publike, është angazhuar një ekspert, i cili ka filluar me vlerësimin e infrastrukturës dhe nevojave për ndërhyrje me qëllim të ndërtimit të kapacitetit të Inteligjencës Artificiale me përdorim të gjerë në sistemet e Doganave.

Konferenca ka shpalosur edhe shumë tema tjera të rëndësishme për doganat bashkëkohore, të cilat do t’i shërbejnë orientimit të agjendës së zhvillimit dhe modernizimit të Doganës së Kosovës.

Në kuadër të konferencës, drejtori i Përgjithshëm i Doganës Agron Llugaliu ka takuar sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave Kunio Mikurya, drejtoren e Përgjithshme të Doganës së Holandës Nanette van Schelven, përfaqësuesin e Doganës së SHBA-së Ian Saunders dhe shumë homologë tjerë, me të cilët ka ndarë synimet dhe vizionin për zhvillimet në dogana dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në këto dhe synime tjera.

Dogana e Kosovës është e përkushtuar që të ndërmerr të gjitha veprimet për avancim të mëtejmë të teknologjisë, në mënyrë që të ofrojë qëndrueshmëri dhe zhvillim efikas të proceseve të punës, avancimit të shërbimit ndaj interesit ekonomik të vendit dhe mbrojtjes efikase të shoqërisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat