Rritet çmimi i patundshmërive në Kosovë

Ekonomi

Rritet çmimi i patundshmërive në Kosovë

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 09:03
Foto ilustrim

Çmimi i patundshmërive në Kosovë është rritur, si edhe shumëçka tjetër si pasojë e krizave të ndryshme globale. Në Prishtinë, ku edhe ka ndërtime më të mëdha të ndërtesave të banimit, çmimet janë më të shtrenjtat e që shkojnë deri në 1 mijë e 300 euro, thonë përfaqësues të shoqatës së ndërtimtarëve.

Ngritja e çmimit ndërtimor ka bërë që të pësojnë edhe investimet në objekte ndërtimore dhe në rritjen e çmimit të banesave e patundshmërisë. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Faton Hoxha, thotë për Radio Kosovën, se edhe pse ka rritje të çmimeve në shumë sektorë, rritja e patundshmërive, nuk është bërë në proporcion me rritjen e çmimeve. Mesatarja e një banese për metër katror në Prishtinë është diku rreth 1 mijë 300 euro, varësisht nga zona, thotë Hoxha.

 “Po e marrim vetëm çimenton si njërin ndër produktet kryesore për ndërtim. Verën e kaluar ka qenë me 70 euro a tash këtë vit është rritur për 140 euro, e gjithashtu edhe materialet e tjera kanë shënuar ngritje për 100 për qind. Nëse i shikojmë kështu del që çmimi i patundshmërisë nuk është ngritur në proporcion me këto ngritje dhe nëse nuk ka lëvizje të çmimeve, do të ketë prapë ngritje të çmimit të patundshmërisë. Mesatarja është diku rreth 1300 euro në  Prishtinë dhe në qytetet e tjera të mëdha”, thotë Hoxha

Hoxha thotë se çmimi qëndron ngjashëm edhe në Prizren e Gjakovë, përderisa pak më lirë janë qytetet e tjera ku çmimi për metër katror ndryshon nga 700 deri në 900 euro.

Agjencia e patundshmërive paralajmëron se pas tre muajsh, pritet të ketë rënie të çmimit të patundshmërive në vend. Agjentja e  shitjes në Agjencinë e Patundshmërisë “Tafingo”, Sumeja Naili, thotë për Radio Kosovën se aktualisht, çmimet e shitjes janë të larta, e varësisht nga lokacioni, ato shkojnë nga 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 600 euro për metër katror.

 “Si krejt çmimet në të gjitha shërbimet, edhe në patundshmëri ka rritje, po pritet që pas dy apo tre muajsh të zbriten çmimet si në qira edhe në shitje. Çmimi i shitjes varet nga lokacioni, por ato që kërkohen më shumë janë në qendër e shkojnë 1.200 deri në 1.600, ndërsa ato në vend jo të zhvilluara dhe larg syve të njerëzve, metri katror shkon nga 800 deri në 1 mijë euro”, thotë Naili.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën e investimet e huaja nga diaspora shqiptare, kryesisht në Kosovë shkojnë në patundshmëri.

 “Bizneset po investojnë vazhdimisht në infrastrukturën ndërtimore dhe afariste dhe kjo ka shënuar një rritje të dukshme dhe kjo rritje po vërehet se në Kosovë ka ndikuar në rënien e interesimit për blerje, gjë që kjo e rrezikon sektorin e ndërtimtarisë dhe gjithë këta operatorë që merren me ndërtimtari”, tha Shahini.

Edhe në publikimin e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për  Indeksin e Kostos së Ndërtimit për tremujorin e dytë të këtij viti, thuhet se kostoja e ndërtimit ka pasur ngritje, për 2.2 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat