Rënia e çmimit të naftës, sqaron Berjani: Është rritur prodhimi dhe kjo ka reflektuar edhe tek ne

Ekonomi

Rënia e çmimit të naftës, sqaron Berjani: Është rritur prodhimi dhe kjo ka reflektuar edhe tek ne

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 15:21
Kryetari i Shoqatës të Naftarëve, Fadil Berjani 

Ditëve të fundit është vërejtur një rënie e lehtë e çmimit të naftës.

Kryetari i Shoqatës të Naftarëve, Fadil Berjani ka thënë se arsyeja e rënies së çmimit është rritja e prodhimit nga organizata prodhuese OPEC.

“Në bursë kanë rënë çmimet dhe ka reflektuar edhe tek ne në Kosovë. Ndikim në rënien e çmimit ka edhe organizata prodhuese OPEC, që e ka shtuar prodhimin. Kur ka prodhim të rritur kemi rënie të çmimit dhe kjo është duke reflektuar edhe tek ne në Kosovë”, u shpreh ai.

Aktualisht një litër naftë, sipas tij, është duke u shitur me çmim rreth 1 euro e 62 centë.

Berjani theksoi se kosovarët janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut.

“Tash nuk kemi çmim të imponuar apo çmim tavan, Kosova është treg i hapur dhe shteti më i vogël në botë, me më së shumti pika karburanti. Është një konkurrencë dhe garë e madhe për çmim. Oferta dhe kërkesa e krijon çmimin. Çmimet janë në rënie e sipër, qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të ulëta në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila e ka akcizën e dizelit më të ulët se ne, për 22 cent. Lus qytetarët tanë që kur të shërbehen me derivate, të kërkojnë edhe kuponin fiskal”, tha Berjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat