Çfarë po ndodh me ekonominë në rajon? Procedurat e tregtisë nuk janë përmirësuar

Ekonomi

Çfarë po ndodh me ekonominë në rajon? Procedurat e tregtisë nuk janë përmirësuar

Më: 17 dhjetor 2022 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Në kuadër të CEFTA-s, teorikisht një dokument i lëshuar në njërin vend duhet të njihet nga pala tjetër (dhe absolutisht ashtu duhet të jetë. Pa dashur të jem shumë pesimist në analizën time, asgjë nuk ka ndryshuar në praktikën e zhdoganimit gjatë viteve të fundit me vendet e rajonit. Për çdo veprim ndërkufitar ka sistem kontrolli të dyfishtë!

Pra certifikatë veterinare në vendin e nisjes dhe certifikatë veterinare në vendin e mbërritjes. Deklaratë doganore në vendin e nisjes, deklaratë doganore në vendin e mbërritjes. Pagesë e agjencisë doganore, gjithashtu në të dy vendet. Në kuadër të CEFTA-s, teorikisht një dokument i lëshuar në njërin vend duhet të njihet nga pala tjetër (dhe absolutisht ashtu duhet të jetë. Ky është modeli i BE-së, një dokument i lëshuar në Gjermani për shembull, qoftë faturë apo certifikatë veterinare apo fitosanitare njihet edhe në Itali edhe në Spanjë e kudo).

Praktikisht, veterineri shqiptar lëshon certifikatën, por në kufi të Serbisë, apo të çdo lloj vendi të rajonit, duhet të lajmërohet 24 orë përpara veterineri, që të vijë të bëjë edhe një herë kontroll veterinar, për të njëjtën gjë të cilën ka garantuar nëpërmjet certifikatës veterinare veterineri shqiptar. Në rastin më të keq (që ndodh goxha shpesh) veterineri mund të kërkojë të marrë një mostër e ta dërgojë për analiza, që do të thotë që kamioni duhet të presë ndoshta 2-3 ditë.

Edhe pse taksa apo tarifa nuk ka, për bërjen e një operacioni ndërkufitar me vendet e rajonit duhet të koordinosh 2 veterinerë, 2 agjentë doganore, 2 zyrtarë veterinarë (edhe nëse dogana punon 24 orë, doganierët kanë deklarata të tjera në dorë). Kostot e këtij operacioni janë gjithashtu të rëndësishme. Ne bëjmë import 5 herë në javë nga Kosova, 3 herë në javë nga Mali i Zi, 1 herë në javë nga Serbia.

Vetëm këto kosto të lartpërmendura shkojnë 140-180 euro për çdo operacion (certifikatë veterinare x 2, deklaratë doganore x2, kontrolle veterinare x2, parking doganor x2) e në varësi të produktit, shkojnë edhe 30-35% të kostos së të gjithë transportit. Së treti, duke marrë parasysh kohët e pritjes, një operacion ndërkufitar, rrallëherë është operacion njëditor. Pothuajse gjithmonë është dyditor, pra shoferit i duhen paguar edhe dieta e fjetja, i duhet paguar edhe koha e pritjes, duhet trajnuar, e duhet llogaritur që duhet të punësosh 1.5 herë më shumë shoferë, e 1.5 herë më shumë mjete transporti nëse do të bësh tregti me jashtë.

Për të ilustruar, një shofer për të marrë apo për të dërguar një ngarkesë në Sarandë, mund të shkojë e të kthehet brenda dite, dhe ndoshta në kthim të ngarkojë apo të shkarkojë edhe në ndonjë vend tjetër, ndërsa për të dërguar të njëjtin produkt në Prishtinë, duhet llogaritur që të niset një ditë përpara, e të kthehet të nesërmen.

Praktikisht që të bësh tregti me vendet e rajonit, duhet të kesh një strukturë të tërë, një person që të koordinojë çdo gjë, e burime njerëzore dhe mjete të shtuara.

Efektivisht, të gjithë kompanitë e vogla e të mesme janë të përjashtuara nga tregtia me vendet e rajonit, sepse nuk mund të presësh nga tregtarë të vegjël, apo prodhues artizanalë që të ngrenë në këmbë strukturën e nevojshme, dhe të kenë ekspertizën për të koordinuar veprime ndërkufitare, si dhe të paguajnë kosto në rendin e 30-40% të vlerës që faturojnë.

Veprimet ndërkufitare i bëjnë vetëm komani të mëdha e shumë të mëdha, gjë që nuk është aspak koherente me strukturën e tregjeve të vendeve të rajonit.

Edhe kompanitë e mëdha janë të dënuara që të jenë të kufizuara në tregtinë e tyre, pasi në një ngarkesë, ti mund t’i dërgosh produkte vetëm një importuesi te madh, e ai importues më pas ta shpërndajë (e praktikisht të këtë fuqinë e të diktuarit të kushteve), ose duhet ndërtosh, apo të marrësh me qira një magazinë në një vend tjetër, të krijosh një kompani të re në atë vend, efektivisht të punësosh të paktën një magazinier, një shofer tjetër, një financier dhe një roje.

Për shkak se për të shitur në disa klientë përtej kufirit, duhen bërë të njëjtat veprime që i shpjegova. Edhe kompanitë e mëdha, por që tregtojnë produkte të freskëta apo me afat të afërt skadencë janë gjithashtu të penalizuara.

Zgjidhja e vetme është një model i pastër europian, një faturë apo certifikatë e lëshuar në Shqipëri, duhet të njihet menjëherë në secilin vend të rajonit, e jo të këtë nevojë për doganën apo ndërmjetës të tjerë që të validojë e të vërtetojë daljen e mallit.

Duhet të krijohet një software i përbashkët për të gjitha vendet e rajonit, për t’u menaxhuar kjo gjë. Natyrisht nuk mund të hiqen komplet kontrollet, por doganat dhe autoritetet e tjera kontrolluese duhet të bëjnë kontrolle, bazuar në risk pranë ambienteve të kompanisë, e jo për çdo ngarkesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat