​Mbledhja e tatimeve në veri mbetet sfiduese edhe për ATK-në

Ekonomi

​Mbledhja e tatimeve në veri mbetet sfiduese edhe për ATK-në

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 13:49
Foto ilustrim

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor të këtij viti ka realizuar të hyra tatimore mbi 720 milionë euro.

Zhvillimet tensionuese muajve të fundit në veri të vendit, kanë sfiduar edhe ATK-në për mbledhjen e tatimeve në edhe në atë pjesë.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i ATK-së, Ilir Murtezaj në konferencën e fundit për këtë vit për media, duke prezantuar rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-dhjetor 2022, tha se në krahasim me planin vjetor ka një ngritje të të hyrave tatimore për 5.1 milionë euro apo 0.7 për qind.

Murtezaj ka thënë po ashtu se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka një rritje të të hyrave tatimore për 119 milionë euro apo 19.9 për qind.

Sa i përket të hyrave të përgjithshme, Murtezaj ka thënë se kontributet pensionale kanë arrit 236.6 milionë euro dhe së bashku me tatimet, kjo shifër arrin 953.3 milionë euro.

Murtezaj: Mbi 720 milionë euro të hyra tatimore

Pjesa e të hyrave për vitin 2022 shënon shifrën e mbi 721 milionë euro si të hyra tatimore. Dhe nëse i bëjmë bashkë të hyrat tatimore së bashku me kontributet pensionale, atëherë kemi mbi 950 milionë euro. E hyra është njëra nga indikatorët e performancës së mirë të ATK-së, por nuk është i vetmi që ka shënuar progres ky institucion gjatë këtij viti”, theksoi Murtezaj.

Drejtori i ATK-së konfirmoi se ATK është prezentë edhe në katër komunat veriore, por shtoi se mbledhja e tatimeve natyrisht që është sfiduese sikur në aspektin e përgjithshëm politik.

Murtezaj: ATK është prezentë edhe në veri, mbledhja e tatimeve natyrisht që është sfiduese

“Mbledhja e tatimeve sfiduese është në të gjitha rajonet, sepse nuk është një proces i lehtë, por synimi ynë është që vazhdimisht ne t’i paraprijmë procesit të mbledhjes së tatimeve, duke informuar e edukuar tatimpaguesit për procesin e pagesës së tatimeve. Në këtë rast edhe pjesa veriore është njëra prej pjesëve që ATK ka prezencën e saj. Pretendon që të mbledhë pjesën e tatimeve që bizneset në atë pjesë realizojnë aktivitet fitimprurës nga aktivitetet e tyre ekonomike. Kështu që dua të konfirmoj se ka tatimpagues të konsiderueshëm edhe nga ajo pjesë që vazhdojnë të jenë pjesë kontribuuese e mbushjes së buxhetit të shtetit. Se a është në masën e duhur? Sigurisht që është sfidë sikur për shumë aspekte, jo vetëm për mbledhjen e tatimeve. Sepse pjesa veriore është sfidë për të gjithë”, theksoi Murtezaj.

Ai ka shtuar se ajo që ka ndikuar në ngritjen e të hyrave, është edhe rritja e inkasimit të borxheve, fuqizimi i kontrollit të brendshëm, rritja e efikasitetit dhe digjitalizimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve.

Murtezaj ka ftuar të gjithë qytetarët që të raportojnë në ATK për çdo parregullsi për evazion fiskal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat