Rritje e ngadalësuar ekonomike edhe këtë vit

Ekonomi

Rritje e ngadalësuar ekonomike edhe këtë vit

Më: 12 shkurt 2023 Në ora: 10:25
Florin Aliu

Rritje të ngadalësuar ekonomike Kosova do të ketë edhe në këtë vit për shkak të inflacionit dhe situatës sfiduese ekonomike për vendin. Niveli i kësaj rritjeje për vitin 2023, sipas ekspertit të ekonomisë, Florin Aliu, pritet të jetë mes 3 dhe 4 për qind.

Aliu deklaron se kjo normë është e pamjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për uljen e papunësisë. Ndërkaq, në vitin që lamë pas vendi pati normën Bruto Prodhimit Vendor (BPV) rreth 3 për qind.

Profesori në Republikën Çeke, Aliu thotë se kriza ekonomike në vend nuk është adresuar në mënyrën e duhur nga qeveria.

Aliu kritikon qeverinë për dyfishimin e tatimit në pronë dhe për koeficientin 105 euro për pagat, që sipas tij, ka ulje të rrogave në disa sektorë me koeficientin e miratuar tashmë në Kuvend.

Aliu: Problemi është i thellë ekonomik

“Problemi është i thellë ekonomik, për arsye se adresimi i tij në kohën kur qeveria ka akumuluar buxhet dhe të ardhura jo për shkak të efikasitetit të ekonomisë, sepse zhvillimin ekonomik ne po e shohim në bazë të rritjes ekonomike, e cila është 3 për qind. Kjo rritje ekonomike me një fjalë nuk është asgjë hiç. Kjo normë e rritjes ekonomike nuk e ulë papunësinë, për arsye se korpusi i njerëzve që futen në tregun e punës është shumë i lartë se sa kjo rritje ekonomike prej 3 për qind. Kështu që intervenimet e qeverisë në raport me këtë grup shoqëror, gjithmonë kur po diskutojmë për një qeveri të majtë, përveç koeficientit të pagave që ka pakënaqësi të mëdha, ndonëse edhe nëse është bërë mirë me këtë koeficient, ende nuk po dihet. Ka shumë debate, shumë diskutime dhe shumë të pakënaqur. Disa prej punonjësve në disa sektorë edhe iu kanë zbritur pagat si rezultat i këtij ligji”, thekson ai.

Profesori Aliu, thotë po ashtu se ekzekutivi i vendit nuk bëri sa duhet as për kategoritë sociale.

Duke u ndalur te inflacioni, Aliu shprehet se ai do të jetë në nivel të lartë edhe gjatë këtij viti, ndërsa nxitet edhe nga zhvlerësimi i valutës euro, pasi që vendi është përdorues i kësaj valute.

Aliu kritikon qeverinë se nuk ka bërë reforma në vend në sektorin e ekonomisë.

Aliu: S’ka reforma, përveç vendimeve për rritje të tatimit në pronë

“Por, çka është bërë për personat që janë të varfër dhe të papunë? Mendoj se inflacioni do të na përcjellë nëse tempo do të jetë e tillë e rritjes së çmimeve. Megjithatë nuk besoj se do të jetë rritje të çmimeve edhe më tej, por mbeten shumë të panjohura. Për arsye se Rusia dhe Ukraina janë ndër prodhuesit kryesorë të grurit, vajit të lulediellit dhe elbit. Kështu që 30 për qind e prodhimit botëror varet nga këto dy shtete, të cilat janë në luftë… Se çfarë viti do të na pret janë shumë pikëpyetje për arsye se siç po shihet pranvera e këtij viti do të intensifikojë luftën në Ukrainë. Po ashtu, ka të panjohura se si do të lëviz euro në raport me dollarin. Nuk duhet harruar se Kosova përdorë euron dhe çdo lëvizje e euros qoftë në dobësim apo forcim në raport me valutat e tjera ndikon në ekonominë e Kosovës, kryesisht tek çmimet dhe tregtia. Kështu se cili do të jetë viti 2023 në aspektin ekonomik, nuk kam pritje të mëdha për arsye se nuk po shihen reformat, përveç vendimeve të rritjes së tatimit në pronë”, thekson ai.

Sa i përket propozimeve të opozitës dhe komunitetit të biznesit për ndryshimet e politikave fiskale, nuk pajtohet eksperti Aliu. Megjithatë, ai thotë se për manipulimet e çmimeve të mundshme në treg nga tregtarët, këtë duhet ta identifikojë Autoriteti i Konkurrencës në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat