​Dogana mban të konfiskuar gati qe një vit maunën me mall të marketit, që nuk ka produkte serbe

Ekonomi

​Dogana mban të konfiskuar gati qe një vit maunën me mall të marketit, që nuk ka produkte serbe

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 11:35
Plus Market” në Ferizaj është nga marketet e pakta në vend ku nuk mund të gjeni asnjë produkt me origjinë nga Serbia

Biznesmenit Sylejman Nezirit gati qe një vit i është mbetur e bllokuar një maune me rreth 20 ton pije jo alkoolike (Coca Cola) në Doganën e Kosovës.

Gjykata Komerciale kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e kompanisë “The Coca Cola Company’, për caktim të masës së sigurisë ndaj maketit vendor “Plus Market”, me seli në Ferizaj.

Por, pas këtij refuzimi përfaqësuesit e “The Coca Cola Company’, kanë dorëzuar ankesë në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, duke kërkuar caktim të masës së sigurisë ndaj maketit “Plus Market”, për të detyruar Doganën e Kosovës të sekuestrojë dhe shkatërrojë produktet e saj si “Coca Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”, që gjenden në tregun e Kosovës me pretendimin se nuk kanë autorizim zyrtar për tregtim.

Pronari i “Plus Market” nga Ferizaj, Neziri po fajëson doganën dhe gjykatën për konfiskimin e maunës në terminalin doganor në Prizren.

Ai pretendon se dëmi i shkaktuar nga ky konfiskim kap shumën rreth 100 mijë euro.

Në anën tjetër, drejtues të Doganës kanë thënë se dërgesa është ndaluar sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë me numër (VFK 350/2021). Mirëpo, në Gjykatën Themelore nuk janë përgjigjur për këtë vendim. Por, nga Gjykata Komerciale, kanë thënë për KosovaPress, se kundër aktvendimit për refuzimin e caktimit të masës së sigurisë, është paraqitur ankesë nga propozuesi i masës së sigurimit “The Coca Cola Company”, në Dhomat e Shkallës së Dytë, dhe ankesa është duke u shqyrtuar.

“Ankesa është duke u shqyrtuar në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale”, thuhet në një përgjigje të shkurt me shkrim.

Nga Gjykata Komerciale kanë treguar për rrjedhën e këtij procesi gjyqësor.

“Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, përkatësisht Departamenti për Çështje Ekonomike, më 28.09.2022, ka pranuar aktvendimin e Dhomave të Shkallës së Dytë me të cilin vendim është aprovuar ankesa e paditësit “The Coca Cola Company”, ndërsa është anuluar vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Ekonomike të datë 11.05.2022”. Gjykatë më 18 tetor 2022, ka caktuar dhe mbajtur seancën dëgjimore për masën e sigurisë, dhe me aktvendim ka refuzuar në tërësi si të pabazuar propozimin e propozuesit “The Coca Cola Company”, të paraqitur kundër kundërshtarit të sigurimit “Plus Market”, për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë”.

Ndërsa, pronari i marketit që nuk tregton mallra me origjinë nga Serbia, shton se konfiskimi i maunës me mall ka ndodhur në mars të vitit 2022 me arsyetimin, siç thotë ai, për importim të “Coca cola” nga Shqipëria.

Ai shprehet i habitur përse ende gjykata nuk ka shqyrtuar rastin në shkallën e dytë.

Neziri: Me kanë ndaluar maunën me arsyen se nuk lejohet importi i “Coca cola” nga Shqipëria

“Është bërë gati një vit që është bllokuar në kufi “Coca cola”, e Shqipërisë, kur është bllokuar në atë kohë, Gjykata e Kosovës ka marrë vendim që ne ta importojmë vetëm “Coca Cola”, e Serbisë e jo atë prej Shqipërisë. Megjithëse mua më kanë dëmtuar me kamionë dhe me “Coca cola”, të cilës i ka skaduar tashmë afati, mbi 60 mijë euro kam shpenzime vetëm në maune dhe 35 mijë euro vlera e mallit. Kështu që vlera e përgjithshme arrin 100 mijë euro...  Problemi tjetër është se si deri tash ende Gjykata nuk ka marrë vendim për ankesën që ka bërë “Coca Cola” në shkallën e dytë. Pra, ende nuk është shqyrtua rasti për lirimin e maunës. Kjo është absurde”, thotë ai.

Neziri thekson se kanë bërë kërkesë në doganë për lirimin e maunës, por që nuk i është aprovuar kjo.

Neziri: Kemi bërë kërkesë në Doganë për lirimin e maunës

“Kemi bërë kërkesë me liruar kamionin, por nuk e ka liruar Dogana e Kosovës, nuk e di ku është faji për këtë. Kështu që nuk e di kush është fajtori, dogana a gjykata. Por, me rëndësi është se qe 11 muaj e kam kamionin me “Coca cola” të bllokuar në doganë. Pijeve “Coca cola” që gjenden në maune i ka dalë afati, duhet me i asgjësuar”, thotë ai.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu ka theksuar se Gjykata Themelore ka urdhëruar Doganën që të ndalojë mallrat e importuara pa autorizim prej bartësit të së drejtës.

Në këtë rast, Llugaliu thekson se importuesi “Plus market”, nuk ka pasur autorizim për importim të “Coca Cola”.

Llugaliu: Ndalesa është bërë me vendim të gjykatës

“Ajo maunë është ndalur sipas vendimit të gjykatës, e cila ka urdhëruar Doganën e Kosovës se për çfarë do malli të markës pa autorizim të “Coca Cola”, “Fanta”, “Sprite”, në këtë rast që është “Plus market” nuk ka autorizim prej bartësit të së drejtës. Ky është interpretimi i gjykatës dhe na është kërkuar. Kështu që gjykata ka kërkuar nga dogana që duhet me u ndaluar dhe me e konfiskuar. Kjo është arsyeja. Pra, është vendim i gjykatës, nuk është vendim i doganës”, thotë Llugaliu.

Plus Market” në Ferizaj është nga marketet e pakta në vend ku nuk mund të gjeni asnjë produkt me origjinë nga Serbia. Ky vendim i pronarit Sylejman Neziri i pengoi gjigantit të pijeve Coca Cola, me të cilën po vazhdon ende betejën ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat