​Thellohet deficiti tregtar, rritet importi i mallrave nga Serbia

Ekonomi

​Thellohet deficiti tregtar, rritet importi i mallrave nga Serbia

Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 12:34
Foto ilustrim

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.4 për qind në muajin janar 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 291.5 milion eurosh, krahasuar me deficitin prej 273.8 milion eurosh në vitin 2022. Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti mbulon importin me vetëm 17.6 për qind.

Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin janar të këtij viti arritën në 54.4 milionë euro, ose 15.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.1 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 5.1 për qind, Shqipëria 4.6 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 4.4 për qind.

Duket se fushata e muajve të fundit në vendin tonë për bojkotimin e produkteve serbe nuk dha rezultate në rënien e importit të mallrave nga Serbia.

Në janarin e këtij viti importi nga Serbia ka shënuar rritje në raport me muajin janar të vitit 2022.

Vetëm në janar të këtij viti Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë prej 17 milionë e 870 mijë euro apo 1 milion e 523 mijë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Importi nga Serbia në janarin e vitit 2022 ishte 16.347 euro, ndërsa në janar të këtij viti vlera e importit të mallrave 17.870”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërkaq, eksporti i përgjithshëm i mallrave në muajin janar të këtij viti kishte vlerën 62.1 milionë euro, ndërsa importi arriti në vlerën 353.7 milionë euro, që është një rënie prej 3.2 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 4.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat