Banka Botërore: Vetëm 14 shtete iu japin grave të drejta si të burrave – duhen 50 vjet për t’u barazuar ritmi

Ekonomi

Banka Botërore: Vetëm 14 shtete iu japin grave të drejta si të burrave – duhen 50 vjet për t’u barazuar ritmi

Më: 3 mars 2023 Në ora: 21:51
Foto ilustrim

Banka Botërore ka bërë të ditur se ritmi global i reformave drejt trajtimit të barabartë të grave para ligjit, ka rënë në nivelin më të ulët prej 20 vjetësh.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, kjo paraqet pengesë potenciale ndaj rritjes ekonomike në atë që e quajtën si kohën më kritike për ekonominë globale.

“Në vitin 2022, në indeksin Gratë, Biznesi dhe Ligji të Bankës Botërore rezultati mesatar u rrit për vetëm gjysmë pike duke arritur në 77.1 — çka tregon se gratë, mesatarisht, gëzojnë vetëm 77 për qind të të drejtave që i shijojnë burrat. Me ritmin aktual të reformave, në shumë vende, një grua që hyn sot në fuqinë punëtore do të dalë në pension përpara se të jetë në gjendje të fitojë të njëjtat të drejta si burrat, thekson raporti”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.

Tutje, bëhet e ditur se vetëm 14 shtete, të gjitha me ekonomi me të hyra të larta, u japin grave të njëjtat të drejta si të burrave.

Anembanë botës, pothuajse 2.4 miliardë gra në moshë pune nuk kanë ende të njëjtat të drejta si burrat. Mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund ta rrisë BPV-në afatgjatë për kokë për rreth 20% mesatarisht në të gjitha shtetet. Studimet vlerësojnë se fitimet ekonomike globale janë në rangun prej 5-6 trilionë dollarësh nëse gratë fillojnë dhe zgjerojnë biznese të reja me të njëjtin ritëm si burrat”, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se për t’u arritur barazi ligjore thelbësore në mes të dy gjinive, sipas Bankës Botërore, duhen edhe 1 mijë e 549 reforma, teksa bëhet e ditur se me ritmin aktual duhen mesatarisht të paktën 50 vjet për ta arritur këtë cak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat