​Mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare promovojnë turizmin në Prishtinë

Ekonomi

​Mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare promovojnë turizmin në Prishtinë

Më: 27 prill 2023 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Në edicionin e 19-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit që është hapur sot në kryeqytet, po marrin pjesë mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit, Daulina Osmani tha se përmes këtij panairi po promovohet pasuria natyrore e ujore që ka Kosova.

Osmani u shpreh e lumtur që Kosova me kryeqytetin Prishtina dhe me shtatë komuna të tjera është edhe shtet kandidat për organizmin e lojërave mesdhetare 2030.

Osmani: Kosova dhe i gjithë rajoni me pasuri të shumta natyrore

“Kosova, mirëpo edhe i gjithë rajoni me pasuri të shumta natyrore e ujore ka hapësire jashtëzakonisht të madhe për promovimin e turizmit sportiv, mirëpo përtej kësaj Kosova nga viti në vit po shndërrohet në një lokacion adekuat, ku po mirëpret organizime të aktiviteteve të shumta e të mëdha ndërkombëtare sportive. Aktualisht Kosova me kryeqytetin Prishtina dhe me shtatë komuna të tjera është edhe shtet kandidat për organizmin e lojërave mesdhetare 2030, e cila padyshim se është një projekt që do të kërkojë mobilizim te të gjitha strukturave e sektorëve në mënyrë që të jemi të gatshëm të ofrojmë një organizim të suksesshëm në vitin 2030”, tha Osmani.

Se panairet e tilla janë mundësi e mirë për promovimin e turizmit e tha edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.

Bajraktari theksoi se Kosova është tregu më i rëndësishëm turistik për Ulqinin.

Bajraktari: Kosova është tregu më i rëndësishëm turistik për Ulqinin

“Vizitat tona të shpeshta në Kosovë, përfshirë edhe vizitën e fundit së bashku me kryeministrin, Abazoviq tregojnë qartësisht rëndësinë e tregut kosovar për turizmin e Ulqinit. Kosova është tregu më i rëndësishëm turistik për Ulqinin dhe se dëshirat dhe preferencat e turisteve nga Kosova janë ato që do ta determinojnë suksesin e sezonit turistik veror në Ulqin. Prandaj, pushteti lokal i Ulqinit po bënë përpjekje të forta që në Kosovë të prezantohet sa më denjësisht të ofrojë pushime dhe eksperienca unike për çdo qytetar të Kosovës”, tha Bajraktari.

Kryetari i Komunitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi u shpreh i lumtur me organizimin e këtij panairi,

Krasniqi tha se organizmi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën kanë ndikim edhe me benifitet multidimensionale të cilat përveç atyre sportive kanë edhe efekte ekonomike duke pas parasysh fokusimin te turizmi që sporti ja sjell vendit tonë.

Krasniqi: Sot KOK-u po paraqet ofertat e tyre për të joshur sa më shumë bizneset e dashamirët e sportit

“Është kënaqësi të jemi sërish në një ngjarje ku sporti dhe turizmi lidhin ngushtë njëra me tjetrën dhe jo rastësisht ky panair ka ndërlidhë këto dy arterie të rëndësishme. Sot Komuniteti Olimpik i Kosovës bashkë me nëntë federata sportive, të cilat kryesisht lidhen me turizmin dhe organizimin e garave ndërkombëtare janë duke paraqitur ofertat e tyre për të joshur sa më shumë bizneset, sportistet e dashamirë të sportit. Organizmi i ngjarjeve vendore dhe ndërkombëtare sportive për Kosovën kanë ndikim edhe me benifitetet multidimensionale të cilat përveç atyre sportive kanë edhe efekte ekonomike duke pas parasysh fokusimin te turizmi që sporti ja sjell vendit tonë”, tha Krasniqi.

Edhe pjesëmarrësit tjerë konsiderojnë se panairet e tilla po ndihmojnë në promovimin e bizneseve të tyre.

Një nga përfaqësueset e një hoteli në Komunën e Dragashit, Lena Piraj tha se ky panair është një shërbim shumë i mirë që të vetëdijesohen njerëzit që Komuna e Dragashit bënë shërbime të bukura, duke përfshire edhe Bjeshkët e Malit, traditat, vlerat që i ka trashëguar brez pas brezi.

Piraj: Qëllimi ynë është që të përfaqësojmë turizmin, shërbimet tona kulturore dhe turistike

“Qëllimi ynë është që të përfaqësojmë turizmin, shërbimet tona kulturore dhe turistike që bëjmë ndaj të tjerëve. Një nga arsyet që jemi ardhur në këtë panair e shohim shumë në kuadrin tonë, është se jo çdokush është i vetëdijshëm për vlerat kulturore që shërben Komuna e Dragashit. Ky është një shërbim shumë i mirë që të vetëdijesohen njerëzit që Komuna e Dragashit bënë shërbime të bukura, duke përfshirë edhe Bjeshkët e Malit, traditat, vlerat që i ka trashëguar brez pas brezi”, tha Piraj.

E për t’i prezantuar më të rejat nga ofertat turistike të Ulqinit në këtë panair, është ardhur edhe drejtori i organizatës turistike i Ulqinit, Qazim Hoxha.

Hoxha tha se panairet e tilla janë mundësi e mirë që pjesëmarrësit t’i dëgjojnë risitë e Ulqinit.

Hoxha: Mundësi e mirë t’i dëgjojnë risitë për çdo vit se çfarë ka ofertë të re Ulqini

“Kjo është ajo që mundësitë që nuk i kanë dëgjuar t’i dëgjojnë risitë për çdo vit se çfarë ka ofertë të re Ulqini, me çmime, sigurime... Pra, panairet gjithmonë janë të mirëseardhura dhe ne si organizate turistike e Ulqinit i thirremi pozitivisht çdo ftese që vjen nga Kosova”, tha Hoxha.

Qëllimi i këtij panairi vazhdon të jetë promovimi i turizmit vendor dhe rajonal duke shërbyer si udhëzues i pikave dhe atraksioneve turistike

Panairi do të jetë i hapur edhe të premten në sallën “1 Tetori” në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat