Ekspertët: Kosovës i nevojitet një ligj që rregullon agroturizmin

Ekonomi

Ekspertët: Kosovës i nevojitet një ligj që rregullon agroturizmin

Më: 4 maj 2023 Në ora: 12:42
Foto ilustrim

Pronarët e bizneseve të ndryshme dhe njohësit e fushës së agroturizmit thonë se Kosovës i nevojitet një ligj që rregullon këtë fushë. Ndërkaq Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar një projekt të madh të agroturizmit për të cilin ka ndarë 3.5 milionë euro.

Genc Buca, pronar i një agrobiznesi në fshatin Makresh të Novobërdës, thotë se po ndien mungesën e një ligji që do të mund të rregullonte shumë çështje në fushën e agroturizmit në Kosovë. Sipas tij, këtij lloj biznesi që po zgjerohet gjithnjë e më tepër, i duhet një rregullore më e qartë ligjore.

“Së pari duhet njohur mënyrën se si funksionon një agroturizëm. Ndërsa për sa i përket aspektit institucional nuk është e rregulluar me ligj se si mund të funksionojë. Në Kosovë është e nevojshme të bëhet një ligj që do të vendoste disa kritere dhe do t’i orientonte njerëzit se si mund të zhvillojnë këto aktivitete.”

Përveç kësaj, Buca tha se Ministria e Bujqësisë duhet ta mbështesë agroturizmin me projekte konkrete që do të çonin në zhvillim të mëtutjeshëm të kësaj fushe.

“Nuk kemi parë ende diçka konkrete, përveç atyre granteve dhe subvencioneve që janë dhënë edhe viteve të kaluara. Ne kemi biseduar me ministrin, na ka vizituar disa herë, ku dhe i kemi shprehur mendimet tona. Besoj se ai do të bëjë diçka në këtë drejtim”, tha ai për Radio Kosovën.

E kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti, tha se institucionet duhet të punojnë më tepër dhe ta shohin turizmin në përgjithësi edhe pjesën e agroturizmit si një industri që ka potencial për t’u zhvilluar jashtëzakonisht shumë. Hoti tha se në këtë drejtim nevojiten politika e strategji më të qarta.

“ Unë mendoj se institucionet duhet të punojnë më tepër dhe ta shohin në përgjithësi turizmin si një industri e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm për sa i përket ndikimit ekonomik të vendit dhe të krijojë politika e strategji të qarta dhe lehtësuese që të sjellin sa më shumë turistë në Kosovë.”

E eksperti i turizmit, Zekë Çeku, konsideron se agroturizmi është një sektor i rëndësishëm në kuadër të zhvillimit të integruar rural, që është jashtëzakonisht në trend në të gjitha rajonet edhe të Evropës edhe vendeve të tjera.

“Tani zonat malore janë në fokus të zhvillimit, janë mundësi të mira për zhvillimin e agroturizmit. Kosova falë natyrës pozicionit paraqet një rajon, jo vetëm me potencial, por me resurse të bollshme për zhvillimin e këtyre formave të turizmit në veçanti të agroturizmit”, tha Çeku.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka njoftuar se janë ndarë 3.5 milionë euro për agroturizëm dhe zhvillim rural dhe, sipas tij, së shpejti pritet të finalizohet një projekti i madh në agroturizëm, që i përgjigjet potencialit të Kosovës për zhvillim të agroturizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat