Auditori: Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit kushtoi shtrenjtë e me kualitet jo të mirë

Ekonomi

Auditori: Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit kushtoi shtrenjtë e me kualitet jo të mirë

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 09:54
Foto ilustrim

Një varg shkeljesh janë gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në projektin e ndërtimit të shtëpive për të kthyerit.

Këtë e ka bërë të ditur Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Ajo ka thënë se kontratat për ndërtimin e këtyre shtëpive në vlerë prej 8. 8 milionë euro, ka rezultuar më shtrenjtë dhe me kualitet jo të mirë.

Krahas kësaj, gjetje tjetër është se shtëpitë nuk janë ndërtuar sipas planit të paracaktuar me kontratë.

Këtë raport, Spanca tha se e ka dorëzuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

“E kam dorëzuar në Kuvendin e Kosovës raportin e ekonomiciteti dhe efikasiteti i ndërtimit të shtëpive për të kthyerit. Është Ministria për Komunitete dhe Kthim e cila është përgjegjëse për të zhvilluar dhe hartuar programe të cilat kanë të bëjnë me qëndrueshmëri apo për të ndihmuar integrimin dhe kthimin e qëndrueshëm të shpërngulurve dhe refugjatëve. Dhe në këtë aspekt, viti 2017-2022, ka qenë fushëveprim i këtij auditimi, janë lidhur dy kontrata në vlerë prej 8.8 milionë euro dhe ne e kemi vlerësuar procesin që nga identifikimi i nevojave deri tek përmbushja e kontratave apo realizimit të projekteve. Ajo se çka ka rezultuar është që kjo ministri nuk ka qenë ekonomike në ndërtimin e shtëpive”, u shpreh ajo, teksa shtoi se janë paguar 800 mijë euro më shtrenjtë se vlera e tregut.

“Nënkupton që shtëpitë kanë rezultuar të jenë më të shtrenjta se çmimet e tregut. Në këtë rast janë ndërtuar shtëpitë, mirëpo auditimi ka nxjerrë në pah se vlera e kontraktuar apo çmimi i paguar ka qenë 800 mijë euro më shtrenjtë se vlera e tregut. Janë identifikuar një numër mangësish, shtëpitë nuk janë ndërtuar sipas planit të paracaktuar me kontratë, ka modele të ndryshme që pastaj kanë devijuar gjatë rrugës e kështu më radhë”, shtoi Spanca, për Ekonomia Online.

Nga 300 shtëpi sa parashihej të ndërtoheshin, vetëm 150 kanë arritur të përfundojnë. Tha se në këtë projekt, ka hapësirë për hetim nga Prokuroria.

150 shtëpi janë ndërtuar me kontratën e parë, përderisa prej 150 sa janë planifikuar në kontratën e dytë, janë ndërtuar vetëm 24 shtëpi, ende janë në proces të ndërtimit shtëpive të tjera, megjithatë ecuria e punëve sipas informatave që i kemi marrë është shumë e ngadaltë, për shkak se kanë kaluar më shumë se dy vite dhe janë ndërtuar vetëm 24 shtëpi nga 150 të tjera që kanë qenë të planifikuara. Është menaxhim jo i mirë dhe dëmtim i buxhetit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat