Rafuna: Investuesit e huaj nuk janë të sigurt nëse mund të gjejnë punëtorë në Kosovë

Ekonomi

Rafuna: Investuesit e huaj nuk janë të sigurt nëse mund të gjejnë punëtorë në Kosovë

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 18:55
Lulzim Rafuna

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vlerësoi që nëse në fushën e gastronomisë do të paraqitet problem gjetja e kamerierëve, atëherë kafiteritë do të kthehen në vetëshërbim.

Madje, Rafuna tha se investuesit e huaj që vijnë në Kosovë, ndonjëherë nuk janë të sigurt në qoftë se do të gjejnë punëtorë.

“Në qoftë se në gastronomi do të paraqitet problemi dhe sfida për të gjetur kamerier, atëherë do të kthehen në vetëshërbim. Alternativa tjetër te prodhuesit është që të investojnë në pajisje të reja dhe teknologji të re, ku aq sa ka mundësi të mos varen nga fuqia punëtore. Investuesit që vijnë në Odën Ekonomike dhe që interesohen për të investuar në Kosovë, pyetja e parë e tyre është se a është e sigurt të gjejnë punëtorë, e që nuk do të detyrohen të importojnë punëtorë nga vendet tjera”, deklaroi Rafuna në emisionin “Ditari”.

I pyetur se si mund të jetë kjo situatë deri në periudhën e njëjtë të vitit të ardhshëm, Rafuna tha se deri diku situata mund të vazhdojë të jetë e njëjtë.

“Pak a shumë situata do të jetë e njëjtë si kjo që e kemi sot, mund të ketë edhe një largim të vogël të të rinjve me rastin e hapjes së vizave”, theksoi Rafuna.

Kujtojmë që sipas Agjencisë së Statistikave, nga Kosova u larguan 42 mijë persona vetëm vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat