ATK-ja me 19% më shumë të hyra këtë vit, Murtezaj: Sektori i ndërtimtarisë s’po i përmbush detyrimet

Ekonomi

ATK-ja me 19% më shumë të hyra këtë vit, Murtezaj: Sektori i ndërtimtarisë s’po i përmbush detyrimet

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 08:44
Ilir Murtezaj

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti Administrata Tatimore e Kosovës, ka arritur që të tejkalojë parashikimet duke grumbulluar 19% më shumë të hyra se vitin paraprak.

Kështu ka bërë të ditur zëvendës drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, duke thënë se për këtë, ndikim ka pasur shtimi i aktiviteteve në terren por edhe ngritja e vetëdijes së tatimpaguesve.

“Kur flasim për të hyra dihet që e hyra është një nga indikatorët për matjen e performancës së institucioneve të administratës së Kosovës dhe në këtë rast nga raportimet që kemi bërë në vazhdimësi për periudhën gjashtë mujore shihet se kemi pasur një rritje të të hyrave rreth 19 për qind në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.

“Ndër faktorët më kyç janë aktivitetet e tona në terren, ngritja e vetëdijesimit të tatim paguesve, pra përmbushja vullnetare, si dhe qasja jonë që tanimë përveçse jemi duke punuar në terren në anën tjetër edhe kemi ngritur llogaridhënien dhe përgjegjësinë edhe tek stafi ynë që kur të gjitha këto kur të gërshetohen e sjellin produktivitetin e saj, pra në këtë rast rritin edhe të hyra tatimore”, tha Murtezaj për EO.

Tutje, Murtezaj tha se ATK-ja ka përgatitur plane të qarta dhe specifike për secilin sektor në identifikimin dhe luftimin e informalitetit, duke shtuar se si sektor në rrezik të mospërmbushjes së obligimeve tatimore është ai i ndërtimtarisë.

“Një nga sektorët që sistemi ynë elektronik ka identifikuar si sektor në rrezik të mos përmbushjes tatimore është edhe sektori i ndërtimtarisë. Ka vite që prej kur kemi filluar me trajtim të kësaj industrie. Pra në identifikim dhe në vlerësim të deklarimeve nga ana e këtyre tatimpaguesve”.

“Dhe që rezultatet edhe në këtë sektor tregojnë se ka shmangie tatimore dhe raste të caktuara zyrtarët tonë janë të obliguar që të zhvillojnë kontrolle dhe të bëjnë vlerësime tatimore në përputhje me realizimet e tyre, që ata i kanë realizuar si entitete ose si biznese”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat