​APK përballet me mungesë të resurseve njerëzore, kërkohet buxhet shtesë

Ekonomi

​APK përballet me mungesë të resurseve njerëzore, kërkohet buxhet shtesë

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 13:24
Foto nga vendi i ngjarjes

Sipas Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2023, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka pësuar ngritje vetëm për rreth 12 mijë euro apo 2.21 për qind në krahasim me vitin 2022. Kjo nënkupton se APK-ja, si shkak i kostos buxhetore, do të ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara. Kështu u tha në konferencën e Lëvizjes Fol, ku u publikua raporti “Kapacitetet e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore”.

Hulumtuesja e Lëvizjes Fol, Albana Hasani tha se përmes këtij raporti kanë analizuar kapacitetet aktuale të APK-së mbi mundësitë e përmbushjes së mandatit ligjor, pra kompetencat dhe përgjegjësitë, në raport me rritjen e vëllimit të punëve të paraparë me miratimin e ligjeve të reja që e mbulojnë fushëveprimatrinë e këtij institucioni. Krahas kësaj, Hasani shtoi se pavarësisht rritjes së punëve në këtë institucion, numri i punëtorëve vazhdon të mbetet i njëjtë.

Hasani tha se pavarësisht vëllimit të punës, organi ligjvënës ka paraparë rritje minimale të buxhetit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023.

Hasani: Organi ligjvënës ka paraparë rritje minimale të buxhetit të APK-së për vitin 2023

Me dispozitat e Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Agjencisë i janë shtuar përgjegjësi edhe në krijimin e akteve nënligjore për parandalimin e korrupsionit si dhe për monitorimin e zbatimit të këtyre akteve. Por, pavarësisht shumëfishimit të punëve dhe përgjegjësive të këtij institucioni të bëra nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, organi ligjvënës ka paraparë rritje minimale të buxhetit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023”, tha Hasani.

Derisa vlerësoi se duhet të rritet buxheti, Hasani tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Ligjit për Deklarimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë rritur në masë të madhe.

Hasani: Përgjegjësitë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë rritur në masë të madhe

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe të Ligjit për Deklarimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit janë rritur në masë të madhe. Kjo rritje e përgjegjësive ndikohet veçanërisht nga rritja e numrit të zyrtareve publikë të cilët obligohen t’ia deklarojnë pasurinë. Pra, krahas 5 mijë zyrtareve publikë që kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, me dispozitat e Ligjit të ri për Deklarimin e Pasurisë ky numër i zyrtarëve është rritur në rreth 20 mijë zyrtarë që do të obligohen ta deklarojnë pasurinë”, tha ajo.

Sipas Hasanit, si shkak i kostos buxhetore, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, do të ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara.

Hasani: APK do ta ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara

“Sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, buxheti i Agjencisë ka pësuar ngritje vetëm për rreth 12 mijë euro, rritje për 2.21 për qind në krahasim me vitin 2022. Kjo nënkupton se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si shkak i kostos buxhetore, do të ketë të pamundur të realizojë obligimet që i janë shtuar me ligjet e ndryshuara. Gjithashtu, pavarësisht shumëfishimit të vëllimit të punëve të Agjencisë për Parandalimimin e Korrupsionit, numri i të punësuarave në këtë institucion vazhdon të jetë i njëjtë si në vitin paraprak, gjithsej 43 të punësuar”, vijoi Hasani.

Hasani tha se për nevojat e përpilimit të këtij raporti, Fol ka intervistuar edhe zyrtarët përgjegjës të APK-së rreth mundësisë dhe kapaciteteve për realizimin e obligimeve ligjore, ajo shtoi se, të njëjtit kanë theksuar se për zbatimin e obligimeve shtesë, agjencia nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore.

Ajo theksoi se planifikimi buxhetor i bërë nga Qeveria e Kosovës dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore.

Hasani: Planifikimi i buxhetit nga Qeveria nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e Agjencisë

“Pra, planifikimi buxhetor i bërë nga Qeveria e Kosovës dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në përmbushjen e obligimeve ligjore. Poashtu, Strategjia dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Korrupsionit, hartimi i së cilës ka qenë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri në kompetencat e agjencisë, ndërsa tash ka kaluar në kompetencë të Qeverisë”, tha mes tjerash Hasani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat