Rafuna: Nga masat e BE-së po dëmtohet imazhi në sytë e investitorëve

Ekonomi

Rafuna: Nga masat e BE-së po dëmtohet imazhi në sytë e investitorëve

Më: 3 shtator 2023 Në ora: 08:18
Lulzim Rafuna

Janë bërë më shumë se një muaj që kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si rrjedhojë e situatës në veri.

Këto masa sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna po ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Rafuna ka përmendur përjashtimin nga Fondi për Digjitalizim. Ai ka thënë se nëse nuk largohen këto masa, do të ketë dëme edhe në fushat tjera.

“Këto masa ndëshkuese që i janë vendos Kosovës, e kanë dëmtu Kosovën në dy fusha e para në çështjen e imazhit, nuk ka qenë imazh i mirë, për investitorët e huaj dhe e dyta është në aspektin material, ku kompanitë tona kanë pësu, kanë pësu edhe qytetarët e Kosovës, për shkak se kishim rastin e Fondit për Digjitalizim, ku të gjitha vendet e rejonit e morën hisen e vetë, ndërsa Kosova u përjashtua nga e drejta për t’a shfrytëzu atë hisen e vet që i takon në Fondin e Digjitalizimit, tani po hymë në muajin shtator, tetor dhe nëse këto masa na mbesin në fuqi dhe veprohet siç është vepruar me këtë fond, atëherë ne do të përjashtohemi edhe prej fondeve të tjera dhe kështu që më së shumti do të pësojnë kompanitë tona”, ka thënë Rafuna për eo.

Rafuna ka folur edhe për trendët ekonomike në vend, cili theksoi se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë 3.5 deri 4 për qind.

Shqetësuese kreu i OEK-ut e sheh thellimin e deficitit tregtar. Për këtë, ai kërkoi më shumë vëmendje nga Qeveria e Kosovës.

“Deficiti tregtar është shqetësuese, do me thënë rritja edhe thellimi i deficitit, rritja e importit si në vlerë si në sasi, rënia e eksportit kishim këta dy muaj e fundit, është shumë shqetësuese, për këtë arsye kjo është alarm për qeverinë e Republikës së Kosovës të përqendrohen dhe të hartojnë një politikë të mirë fiskale, që i ndihmon më shumë prodhimit tonë, në mënyrë që të kemi më shumë eksporte dhe ta ulim deficitin tregtar”, u shpreh kreu i OEK-ut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat