Deri në 3 euro një hamburger, çmimi i ushqimeve të shpejta në rritje

Ekonomi

Deri në 3 euro një hamburger, çmimi i ushqimeve të shpejta në rritje

Më: 8 tetor 2023 Në ora: 18:43
Foto ilustrim

Çmimet e ushqimeve të shpejta po shënojnë rritje vazhdimisht në vendin tonë. Derisa në vitin 2019 një hamburger ka kushtuar 0.50 centë, tani çmimi mesatarisht shkon 2 deri 3 euro në Prishtinë. Ngritje të çmimeve vërehen edhe në shumë “fast food” të tjerë si doner, hot dog, tost, pica etj,. Qytetarët vlerësojnë se çmimi që paguajnë për këto ushqime, nuk e arsyeton as gjysmën e produktit. Ndërkaq, nga Shoqata e Gastronomëve thonë se kjo situatë varion nga rritja e çmimit të produktit bazik dhe si pasojë e inflacionit. Kurse, Shoqata “Konsumatori” hedhë poshtë këto arsyetime.

Qytetari nga Prishtina, Avni Berisha thotë se konsumimi i ushqimeve të shpejta është bërë trend, derisa shton se gjatë vitit të kaluar një picë e vogël ka kushtuar 1 euro e gjysmë, kurse tani çmimi ka hipur deri në 2 euro e gjysmë.

Berisha: Është humbje e parave

"Sa i përket ushqimeve është bërë disi si një në trend, po iu mundësohet transporti falas edhe besoj që kjo është prej arsyeve pse njerëzit po konsumojnë...po flenë deri në 12 po ngrihen, po e porositin një hamburger një picë...Gjithçka është rritë, jo vetëm një picë, që ka qenë 1 euro e gjysmë vjet një picë e vogël, tash është 2 apo 2 euro e gjysmë aty diku, sepse gjithçka po shkon lloj zinxhiri prej rritjes së çmimit të rrymës këta gjërat e tjera...Ato që blihen në KFC, sipas mendimit tim i kam parë fëmijët që i konsumojnë, ai është një lloj ushqimit që nuk e arsyeton çmimin as përgjysmë, totalisht është humbje e parave në to", tha Berisha.

Njëjtë mendon edhe Burim Beqiri, i cili thotë se çmimi i këtyre ushqimeve po shënon rritje vazhdimisht, duke shtuar se nuk vlejnë për atë shumë.

Beqiri: 3 euro një hamburger, më duket pak e tepërt

"Në raste më të rralla e përdorim zakonisht ushqimet e shpejta...Shumë më të shtrenjta janë, ka rritje çdo herë edhe arsyeja është inflacioni që ndodhi viteve të fundit. Sipas juve a ia vlen të blihet një hamburger deri në 3 euro? Jo nuk ia vlen, hamburgeri zakonisht 1 euro e 20 cent ose 1 euro e gjysmë, më duket pak e tepërt nëse është 3 euro...Këto ushqimet zakonisht po shtrenjtohen më së shumti", tha Beqiri.

Ndërkaq, Hajrullah Tërnava thotë se është simpatizues i ushqimeve klasike, ngase sipas tij ushqimet e shpejta janë të dëmshme. Ai shton se lufta në mes Rusisë dhe Ukrainës ka ndikuar që edhe në Kosovë të ketë ngritje të çmimeve ushqimore.

Tërnava: Lufta Rusi-Ukrainë dhe korona virusi ka ndikuar në rritjen e çmimeve

"Jam më shumë simpatizues i ushqimeve klasike që përgatiten në shtëpi, që i përgatit familja, sepse ka edhe po lexojmë edhe po jemi në rrjedha se këto ushqimet e shpejta më shumë e kanë efektin financiar, që të përfitojnë njerëzit më shpejt edhe i bëjnë. Prandaj po kemi edhe raste, mbrëmë në një vend ishin helmuar.00:41 Situata e krijuar në përgjithësi, luftërat e botës, korona që ishte ato e kanë efektin e vet tash që po i paguajmë këto çmime. Prandaj krejt këto i kanë rrjedhat e veta me tregun ndërkombëtar, lufta në Rusi me Ukrainën atje. Këto shtete kanë pasur prodhime ushqimore jashtëzakonisht të mëdha, tani ata janë në luftë mes vete janë bllokuar, nuk punohet toka. Prandaj kur nuk ka ushqim, aty ngriten çmimet”, potencoi Tërnava.

Se çmimet e “fast food” janë rritur, e pohon edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, i cili thotë se ky ndryshim vjen si shkak i kërkesës për rritje të pagës, mungesës së punëtorëve dhe se ‘tatimi për qira është më i lartë’.

Vranica: Jeta është më shtrenjtë, ka shpenzime më të mëdha dhe pastaj rriten edhe çmimet

"Rrjedhimisht rritja e çmimeve në krejt sektorin e gastronomisë, përfshirë edhe sektorët e tjerë ka variuar prej rritjes së çmimit të produktit bazik, si pasojë e inflacionit... Problem tjetër është rritja e shpronësimeve operative, tatimi në qira është më i lartë...më pas është edhe rritja e kërkesës për të pasur një standard pak më të madh të përgjithshëm që përkthehet edhe në kërkesën për rritje të pagave. Kërkesa për punëtorë është rritur jashtëzakonisht shumë. Përgjithësisht ka rritje të çmimit të standardit që të mund t’i mbulojnë shpenzimet e vetanake secili, duhet t'i rrisin çmimet...Sot nuk është situata njëjtë sikur në vitin 2019, është një dallim shumë më i madh, jeta është më e shtrenjtë, ka shpenzime të mëdha, në çdo aspekt, dhe rrjedhimisht ka rritje të çmimeve", u shpreh Vranica.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku i quan pretekst arsyet e gastronomëve për rritje të çmimeve, derisa thotë se ‘oreksi’ dhe marrëveshja ndërmjet tyre duhet të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës.

Kaçaniku: Rritja e çmimeve, ‘oreks’ i gastronomëve për të përfituar

Ndikimi është shumë negativ, nëse kemi parasysh se varfëria vazhdimisht po rritet, sepse 80 përqindëshi i konsumatorit të varfër tanimë ka falimentuar...Unë mendoj se gjoja rritja e pagave të punëtorëve është pretekst, sepse gastronomët gjithmonë kanë shprehur gatishmërinë për t'i rritur çmimet. Nuk është fjala as për qiranë sepse, lokalet me qira e dimë që popullata po orientohet nga eksodi i ri, sepse nuk ka vende pune dhe çdo kush ka të drejtë të kërkojë perspektivë më të mirë, dhe asnjë arsyeje nuk qëndron. Por, qëndron “oreksi” i tyre, dhe marrëveshja e tyre ndaj edhe Agjencioni i Konkurrencës duhet ta hetojë këtë rast, dhe të shohë se a është marrëveshje mes gastronomëve apo diçka tjetër", tha Kaçaniku.

Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës(ASK) thuhet se çmimi i bukës dhe drithërave në muajin gusht të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, janë shtrenjtuar për 4. 5 për qind.

Ndërsa, kanë pësuar ulje të çmimeve vajrat dhe yndyrat 14.5 për qind, dhe lënde djegëse të ngurta, dru zjarri.

Në sondazhin mbarëkombëtar nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), thuhet se 60% e të anketuarve thonë se kostoja e ushqimit është e lartë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat