Mehmeti: Rritja ekonomike s’duhet të jetë më e vogël se 8%

Ekonomi

Mehmeti: Rritja ekonomike s’duhet të jetë më e vogël se 8%

Më: 15 tetor 2023 Në ora: 09:13
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në vend nuk duhet të jetë më e vogël se 8 për qind, për shkak të sfidave kryesore që i ka Kosova, e që janë papunësia e deficiti i lartë tregta.

Në një intervistë për EO, Mehmeti ka thënë se sipas parashikimeve, inflacioni gjatë vitit të ardhshëm në nivel të Eurozonës do të jetë 3 për qind, ndërsa në vitin 2025 në 2 për qind. Rënie të inflacionit, Mehmeti ka thënë se do të ndikojë edhe në Kosovë, teksa shkaktar kryesor e sheh pandeminë, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse e shohim në nivel global, kemi një rritje në tremujorin e dytë 2023-ës rreth 0.23 për qind. Është një përmirësim në ekonomitë e Eurozonës, për arsye në raportet e mëhershme dhe pritjet e tyre kanë qenë se nuk do të kemi fare rritje ekonomike por do të kemi rënie por është një mesazh kjo përqindje. Pastaj është mirë që edhe inflacioni ka filluar të bie. Në Eurozonë inflacioni është afër 6.2 për qind dhe parashikimet janë që këtë vit, inflacioni do të jetë rreth 5.4 për qind e vitin e ardhshëm do të jetë 3 për qind, që të jep me shpresuar se po shkojmë drejtë përmirësimit të gjendjes ekonomike në nivel të Eurozonës”, ka thënë Mehmeti, teksa rritjen normës së interesit e konsideron si të pashmangshme.

“Kur e përmendi inflacionin, e dini që është një prej faktorëve që mori përmasa dhe që janë të pritshme pas pandemisë dhe kjo e detyroi Bankën Qendrore Evropiane që të marrë masa e vendime për rritjen e normës së interesit katër herë radhazi dhe arriti deri në 4 për qind, e kjo ka bërë që të kemi rritje të normës së interesit në kredi. Pra parashikimet janë që vitin e ardhshëm të kemi rreth 3 për qind inflacionin, pra kjo ndikon në tërësi edhe në ekonominë e vendit por më pastaj pritjet janë që në vitin 2025, pritjet që inflacioni të vie në nivelin çfarë e ka dëshiruar Banka Qendrore Evropiane, që të jetë rreth 2 për qind”, u shpreh ai.

E rritjen ekonomike për këtë vit, Mehmeti e konsideron të vogël dhe se e njëjta duhet të jetë mbi 8 për qind. Shkak për këtë, ish-guvernatori thotë se duhet për t’i adresuar papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar.

“Në Kosovë, në tremujorin e dytë 2023, rritja ekonomike ishte rreth 2 për qind e një raport i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, është që të kemi një rritje ekonomike dikund rreth 3.5 për qind këtë vit. Nuk është një rritje, zakonisht kemi pasur rritje edhe në vitet tjera dhe unë kam potencuar se neve na duhet një rritje më e lartë ekonomike, përafërsisht deri në 7-8 për qind, me qëllim që t’i adresojmë dy sfidat të cilat  në vazhdimësi i ka pasur Kosova dhe vazhdon t’i ketë e që janë papunësia dhe deficiti i lartë tregtar”, thotë Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat