Bizneset e grave që i udhëheqin burrat

Ekonomi

Bizneset e grave që i udhëheqin burrat

Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 12:05
Foto ilustrim

“Gruaja është në shtëpi. Ajo është pronare e biznesit, por unë i shes drutë”.

Këtë përgjigje mori Radio Evropa e Lirë nga një burrë pasi telefonoi në numrin e një biznesi, që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) është i regjistruar me pronare grua.

“Unë i shes drutë në njërën nga rrugët lokale të komunës së Prizrenit”, tha ai.

REL-i telefonoi në dhjetë numra biznesesh që në ARBK figuron se udhëhiqen nga gratë.

Prej tyre, gjashtë veta konfirmuan se bizneset e tyre udhëhiqen nga familjarët meshkuj, dy nga vetë gratë, ndërsa dy e ndërprenë lidhjen pasi dëgjuan kërkesën e REL-it për të biseduar me pronaren e biznesit.

Bizneset që veçoi REL-i në listën e ARBK-së, merren kryesisht me blegtori, bujqësi dhe tregti.

“Po, merremi me blegtori. Unë jam pronare e biznesit, por ai menaxhohet nga burri dhe vjehrri”, tha njëra prej bashkëbisedueseve, duke shtuar se ka katër fëmijë dhe se nuk ka kohë t’u ndihmojë anëtarëve të tjerë të familjes.Bisedat tregojnë se edhe bizneset e regjistruara me pronare gra - që janë dukshëm më pak se ato me pronarë burra - udhëhiqen në praktikë nga burrat.

Sipas një raporti të Institutit për Studime të Avancuara GAP në Kosovë, të publikuar në gusht, nga viti 2000 deri në vitin 2023 janë regjistruar gjithsej 227.759 biznese - 96.995 nga të cilat mbeten aktive.

Prej tyre, 76.325 ose 78.7 për qind janë në pronësi të burrave, ndërsa 1.415 ose 18 për qind janë në pronësi të grave.

Ato që udhëhiqen nga gratë, sipas GAP-it, janë kryesisht biznese mikro me nëntë ose më pak punonjës, ndërsa 1.5 për qind janë biznese të vogla me 10 deri në 49 punëtorë.

Të dhënat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë për periudhën 2019-2023, që siguroi REL-i, tregojnë se numri i bizneseve të regjistruara me pronare gra, ka trend të rritjes.

Gratë në biznes

Nga viti 2019 deri në shtator të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 49.974 biznese të reja. Prej tyre, 12.801 janë biznese me pronare gra.

Pse disa biznese të grave i drejtojnë burrat?

“Kjo ndodh për shkak se në disa raste, mekanizmat institucionalë i favorizojnë bizneset që drejtohen nga gratë - gjë të cilën ne e përkrahim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive e organizatës joqeveritare “QIKA”.

Sipas saj, favorizimet kanë të bëjnë me grante dhe subvencione që ndahen enkas për gratë, për t’i inkurajuar ato që të angazhohen në ndërmarrësi.

“Ne mendojmë se institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për të verifikuar vërtetësinë e pronësisë së bizneseve”, thotë Molliqaj.

Mirlinda Kusari-Purrini, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, thotë se dukuria e udhëheqjes së bizneseve të grave nga burrat, është më e theksuar në viset rurale të Kosovës, e sidomos në sektorin e agro-kulturës.

Këto, sipas saj, janë kryesisht biznese familjare që në punë i përfshijnë edhe gratë, por që në praktikë udhëhiqen nga burrat.

“...sepse nëse aplikon për ndonjë grant qeveritar, ka pikë shtesë nëse biznesi është i regjistruar në emër të grave. Dhe, kështu, është i regjistruar në emër të tyre, por menaxhohet së bashku me burrat”, thotë Kusari-Purrini.

Radio Evropa e Lirë pyeti në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë se a ka mekanizëm që e verifikon udhëheqjen e bizneseve, por nuk mori përgjigje.

Pesë komunat me më së shumti biznese me pronare gra

Prishtina prin me numrin më të madh të bizneseve të regjistruara në emër të grave. Por, përqindja më e lartë e tyre është në Pejë.

Pesë komunat me diferencën më të madhe gjinore në pronësi

Në Dragash, më pak se 10 për qind e bizneseve janë të regjistruara në emër të grave, ndërsa mbi 90 për qind janë të regjistruara në emër të burrave.

Hamide Latifi, e cila me vite është marrë me trajnimin e grave për biznes përmes organizatës “Gratë në Biznes”, thotë se subvencionet që ndahen për gratë në këtë fushë, janë kryesisht të mjaftueshme.

Por, sipas saj, janë procedurat fillestare të zhvillimit të një biznesi ato që “i frikësojnë” gratë.

“Dhe, për këtë arsye, iniciativat për regjistrim të bizneseve në emër të grave merren nga anëtarët e familjes burra”, thotë Latifi për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se shumë gra, pas një periudhe të shkurtër trajnimi, zotërojnë menaxhimin e kompanive të mëdha prodhuese.

Në rubrikën Femina, REL-i ka sjellë rrëfimet e shumë grave në Kosovë që drejtojnë biznese nga më të ndryshmet.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuara më 31 tetor, nga rreth 376 mijë të punësuar në Kosovë, mbi 142 mijë janë gra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat