Rizvanolli: Qytetarët tanë do të jenë të furnizuar me energji elektrike nga burimet vendore të prodhimit

Ekonomi

Rizvanolli: Qytetarët tanë do të jenë të furnizuar me energji elektrike nga burimet vendore të prodhimit

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 23:44
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka qëndruar për vizitë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Rizvanolli, ka thënë se për sezonin dimëror qytetarët do të furnizohen me energji elektrike më të qëndrueshme nga burimet vendore të prodhimit.

Ajo shtoi të dy njësitë gjeneruese B-1 dhe B-2 përgjatë gjithë dimrit do të jenë në prodhim sipas planifikimit aktual.

“Në njësitë B-1 dhe B-2 të TC Kosova B, sipas Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike për vitin 2023, të gjitha remontet dhe revizionet për secilën njësi prodhuese kanë përfunduar. Këto intervenime kanë zgjatur prej 90 ditësh për secilën njësi”, shkroi Rizvanolli.

“Dilatimet janë përfunduar me sukses sipas orarit të paraparë, duke hapur rrugën për zbatimin e projektit të financuar nga BE për vendosjen e filterëve për NOx dhe SOx. Në këto dy njësi edhe projekti i ndërrimit të zbarrave të Gjeneratorit Elektrik ka përfunduar”.

“Përveç projekteve kapitale, janë kryer edhe një sërë riparimesh të tjera, të cilat ishin planifikuar gjatë remonteve të rregullta vjetore dhe kanë ndikuar në sigurinë e operimit gjatë sezonit dimëror”.

“Të dy njësitë gjeneruese B-1 dhe B-2 përgjatë gjithë dimrit do të jenë në prodhim sipas planifikimit aktual”, shtoi ajo.

“Gjithashtu, sipas planit të Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike, në TC Kosova A, janë realizuar remontet dhe revizionet e rregullta vjetore në njësitë A-3 dhe A-5. Ndërkohë, në njësinë A-4 është duke u realizuar remonti i rregullt vjetor, i cili do të jetë i gatshëm për operim në javën e parë të muajit dhjetor”.

“Gjithë plani i operimit me njësitë gjeneruese të TC Kosova A (A-3, A-4, A-5) dhe TC Kosova B (B-1, B-2) sigurohet dhe garantohet edhe nga prodhimi nga Divizioni i Prodhimit të Qymyrit”.

“Ky nivel i përgatitjes për sezonin dimëror dhe gjendja e infrastrukturës nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) tregon se qytetarët tanë do të jenë të furnizuar me energji elektrike më të qëndrueshme nga burimet vendore të prodhimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat