Rizvanolli u premton mbështetje bizneseve për efiçiencë elektrike

Ekonomi

Rizvanolli u premton mbështetje bizneseve për efiçiencë elektrike

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka takuar përfaqësuesit e odave ekonomike dhe bizneseve të Kosovës, me të cilët ka biseduar për masat e reja te subvencionimit të pajisjeve të efiçiente të energjisë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Sipas njoftimit nga Ministria e Ekonomisë, Rizvanolli dhe përfaqësuesit e odave ekonomike dhe bizneseve gjatë takimit kanë diskutuar për nevojat që kanë bizneset për përkrahje në efiçencën e energjisë, për sistemet e ngrohjes, shpenzimet e energjisë dhe për mënyrat se si të arrihet rritja e efiçiencës, e ulja e konsumit të energjisë elektrike. 

“Masat të cilat janë duke u dizajnuar në kuadër të pakos mbështetëse të Bashkimit Evropian për përballje me krizën energjetike evropiane në vlerë prej 75 milionë euro, janë masat e para të tilla për subvencionim të blerjes së pajisjeve efiçiente për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Ministria e Ekonomisë si hap të parë në përkrahjen e bizneseve do të fillojë me subvencionimin e pajisjeve efiçiente së energjisë për ngrohje tek bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të energjisë elektrike, sidomos në stinën e dimrit, kur rritet kërkesa për ngrohje”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesit e bizneseve falënderuan ministren Rizvanolli për ftesën që ua ka bërë të bashkëbisedojë me ta dhe shpalosën sugjerimet e tyre mbi masat të cilat i konsiderojnë të nevojshme për rritje të efiçiencës tek bizneset.

Ata e vlerësuan të qëlluar masën për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje, pasi theksuan se rreth 40% e energjisë nga bizneset e targetuara shpenzohet për ngrohje dhe se përdorimi i pajisjeve jo efiçiente ua rrit faturën e pagesës së energjisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat