​Tensionet Kosovë-Serbi shkaktuan rënie të investimeve të huaja, MINT krekoset me 4.3 milionë euro

Ekonomi

​Tensionet Kosovë-Serbi shkaktuan rënie të investimeve të huaja, MINT krekoset me 4.3 milionë euro

Më: 18 nëntor 2023 Në ora: 13:31
Foto ilustrim

Tensionet në mes marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe situata e përgjithshme politike në vend po konsiderohen të jenë shkaktarë kryesor për rënien e investimeve të huaja për mbi 12 për qind gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti. Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se çështjet e hapura me Serbinë duhen mbyllur sa më shpejtë në mënyrë që investitorët të mos kenë pasigurinë se çka do të ndodhë në Kosovë, nëse duan të investojnë. Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mohon të ketë pasur rënie të investimeve, derisa krekosen se në muajt janar-gusht 2023 ka rritje për 4.3 milionë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas raportit “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë TM2 2023” të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thuhet se investimet e huaja direkte në periudhën prill-qershor 2023 rezultojnë të kenë shënuar rënie prej 12.5 për qind, duke arritur vlerën prej 184.4 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se situata aktuale Kosovë-Serbi është ndër arsyet kryesore për rënien e investimeve të huaja direkte në vend. Ai shton se shkak mund të jetë edhe se investitorët potencial janë duke e hulumtuar tregun.

Rafuna potencon se duhet avancuar me politika fiskale dhe duhet eliminuar barrierat administrative në mënyrë që Kosova të bëhet një ambient i të bërit biznes.

Ai shtoi po ashtu se qeveria duhet krijuar një Grup-punës për të shqyrtuar se cilat janë pengesat e të bërit biznes në Kosovë, krahasuar me vendet e rajonit.

Rafuna: Situata me Serbinë shkak kryesor për rënien e investimeve të huaja

"Shkaktarët kryesor që kanë ndikuar janë situata në të cilën gjendemi, tensionet me Serbinë që i kemi. Kjo ka qenë një prej faktorëve, e dyta është mos gjetja ose hulumtimi, edhe investitorët potencial janë duke e hulumtuar tregun. Mirëpo, ne duhet të avancojmë shumë me politika sidomos fiskale, por edhe me eliminimin e shumë barrierave të shumta që janë qoftë administrative ose jo administrative. Ne shumë herë e kemi ngritë zërin dhe kemi kërkuar që të eliminohen ato barriera, në mënyrë që Kosova të bëhet një ambient i të bërit biznes dhe këtu mendojmë që qeveria duhet të lëvizë shumë shpejt, për ta bërë një Grup punues për të parë se cilat janë pengesat e të bërit biznes në Kosovë, krahasuar me vendet e rajonit. Sepse, ne së pari krahasohemi me vendet e rajonit, dhe e dyta çështjet që i kemi sidomos të hapura me Serbinë të mbyllen sa më shpejtë, dhe investitori të mos ketë atë pasigurinë se çka do të ndodhë në Kosovë, nëse unë shkoj dhe investoj", thotë Rafuna.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku potencoi për KosovaPress, se Kosova në një periudhë pak më të gjatë nuk qëndron mirë me fluksin e investimeve të jashtme. Ai shtoi se situata e përgjithshme politike po ndikon në pengimin e investimeve të jashtme në vendin tonë.

Sadiku thekson se pavarësisht se Kosova ka një legjislacion të pavarur, që i përngjan atij të Bashkimit Evropian, ka ngecje në zbatimin e këtij legjislacion. Sipas tij, ky fakt mund të konsiderohet si arsye për rënien e investimeve të huaja.

Sadiku: Situata e përgjithshme politike në vend arsye për rënien e investimeve të huaja

"Në një periudhë pak më të gjatë Kosova nuk qëndron mirë me fluksin e investimeve të jashtme...Arsyet duhet kërkuar se Kosova nuk ka arritur që ta krijojë një mjedis miqësor për investime, një mjedis miqësor e të bërit biznes. Pavarësisht se Kosova e ka një legjislacion të përparuar, i cili i përngjanë legjislacionit të Bashkimit Evropian, por mbeten mjaftë të ‘qara’ në zbatimin e këtij legjislacioni. Prandaj, në këtë kuptim si pengesa të mëdha në kontraktimin e investimeve të jashtme, bëhet situata e përgjithshme politike, e cila është në Kosovë. Bëhet situata lidhur me funksionimin e sistemit ekonomik në Kosovë, lidhur me transparencën e politikave, lidhur me qeverisen në përgjithësi, me zhvillimin ekonomik... Ndërmarrjet publike janë shumë të rëndësishme, sepse imputet që dalin nga to janë të rëndësishme për ndërtimin e një konkurueshmërie në tregun e Kosovës, prandaj të huajt dëshirojnë të kenë impute konkuruese për funksionalizmin e bizneseve të tyre", potencon Sadiku.

Për kundër kësaj, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, përmes një përgjigje me shkrim thonë se sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga BQK-ja, investimet e huaja direkte, kanë rritje e jo rënie. MINT-i potencon se ‘nëse krahasojmë periudhën janar-gusht 2023, me të njëjtën periudhë të vitit 2022, kemi rritje prej 4.3 milionë të vlerës së investimeve të huaja direkte (IHD)’.

“Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte, kanë rritje e jo rënie. Nëse krahasojmë periudhën janar-gusht 2023, me të njëjtën periudhë të vitit 2022, kemi rritje prej 4.3 milionë të vlerës së investimeve të huaja direkte. Është shumë e qartë që brenda vitit jo të gjithë muajt kanë rritje të njëjtë. I kemi muajt janar, shkurt, mars, të vitit 2023 që kanë rritje të dukshme në krahasim me të njëjtit muaj të vitit 2022. Duke iu referuar të dhënave të BQK-së, del se IHD-të në pjesën e parë të vitit 2023 janë për 50.3 milionë euro më të larta, ku vlera më e madhe e investimeve të huaja ishte realizuar në muajin janar, pra 66.1 milionë euro. Duke pasur parasysh krejt këto të dhëna, shihet qartë që IHD-të janë në rritje të vazhdueshme”, thuhet në përgjigjen MINT për KosovaPress.

Sipas raportit të BQK-së, rënia IHD-ve është evidentuar kryesisht në sektorët e patundshmërisë, ndërtimtarisë dhe sektorin e xehetarisë përfshirë guroret.

Ndërsa, investimet e huaja direkte të rezidenteve nga Kosova në vendet tjera kanë shënuar rritje në periudhën prill-qershor 2023, duke arritur vlerën prej 53.1 milionë euro (50.7 milionë euro në prill-qershor 2022), investime të destinuara në vendet e rajonit e të orientuara kryesisht në sektorin e patundshmërisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat