Dhoma e Tregtisë shpreh shqetësimin e saj lidhur me diskriminimin e sektorit privat

Ekonomi

Dhoma e Tregtisë shpreh shqetësimin e saj lidhur me diskriminimin e sektorit privat

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 14:17
Foto ilustrim

Dhoma e Tregtisë shpreh shqetësimin e saj lidhur me diskriminimin e sektorit privat Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh shqetësimin e saj lidhur me thellimin e diskriminimit të sektorit privat krahasuar me atë publik, ku parashihet të bëhet ngritja e pagave në sektorin publik me çka po rritet diferenca me sektorin privat nga 25% në 60%.

“Me Vendimin e fundit të marrë në mbledhjen e Qeverisë për paga, koeficienti nga njëqind e pesë (105) euro siҫ ishte për vitin 2023 pritet të kaloj në njëqind e dhjetë (110) euro në vitin 2024 për të punësuarit në sektorin publik që në numër janë rreth 83 mijë persona. Një praktikë e tillë është premtuar se do të vazhdoj të ndiqet edhe gjatë viteve në vazhdim”, thuhet në reagim.

Në komunikatë thuhet se sektori privat i cili është gjeneratori kryesor i ekonomisë së vendit e ku të punësuar janë mbi 300 mijë punëmarrës vazhdon të mbetet në një gjendje të rëndë. Për informim për vitin 2021 paga mesatare në sektorin privat ka qenë 490 euro, përderisa në sektorin publik për vitin 2021 ka qenë 612 euro, në vitin 2022 ishte 620 ndërkaq në vitin 2023 është 730 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 780 euro, pra dallimi mes këtyre dy sektorëve po shkon vetëm duke u thelluar. Nga 25% diferenca po rritet në 60%.

“Nga popullsia në moshë pune, 61.4 % nuk janë ekonomikisht aktive ndërsa të punësuar sipas të dhënave të publikuara në Anketën e Fuqisë Punëtore për vitin 2022 nga Agjencia e Statistikave janë vetëm 403.813 persona apo 33.8%, ku shumica prej tyre janë të punësuar pikërisht në sektorin privat”, thuhet në komunikatë.

Andaj, sipas njoftimit Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, trajtimin me prioritet edhe të sektorit privat ashtu sikur që po trajtohet sektori publik, në mënyrë që të mos diskriminohen bizneset dhe njëkohësisht as të punësuarit e këtij sektori.

DHTIK po ashtu kërkon që të merren parasysh kërkesat e vazhdueshme të cilat kemi përcjellur tek Qeveria dhe Ministritë e që deri më tani fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhër, kërkesa këto konkrete në mesin e të cilave përfshihen ndryshimi i Ligjit të Punës përkatësisht Pushimit të Lehonisë, Ligjit për Procedurat Tatimore, krijimi i ofertës konkrete për Investitorët, krijimi i arkës “Patriot”, ndryshimi i Ligjit për Tregti të Brendshme, kërkesa e DHTIK që TVSH-ja të paguhet në inkasim dhe jo vetëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat