​BQK rrëzon parashikimet e Kurtit për rritjen ekonomike

Ekonomi

​BQK rrëzon parashikimet e Kurtit për rritjen ekonomike

Më: 25 nëntor 2023 Në ora: 13:25
Foto ilustrim

Rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë 3.5 për qind, kurse inflacioni të përfundojë me rreth 5.2 për qind. Kështu, vlerësojnë nga Banka Qendrore e Kosovës, përkundër që kryeministri i vendit, Albin Kurti këto ditë ka proklamuar se kjo normë e GDP-së pritet të jetë 3.8 për qind. Ndërkaq, opozita shprehet skeptike me këto për qindje, pasi sipas tyre rritja ekonomike reale sillet rreth 2.3 për qind.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili thekson për KosovaPress, se pritjet janë që rritja ekonomike të jetë 3.5 për qind për vitin 2023, kurse inflacioni sipas tij, të përfundojë me rreth 5.2 për qind. I njëjti shtoi se vitin e ardhshëm rritja ekonomike pritet të jetë rreth 4 për qind.

Ismaili: Pritjet janë që rritja ekonomike të jetë 3.5 për qind

“Sa i përket këtij viti, pritjet janë që rritja ekonomike të jetë 3.5 për qind, kurse inflacioni të përfundojë me rreth 5.2 për qind. Kurse, në vitin e ardhshëm rritja ekonomike pritet të jetë 4 për qind me një inflacion 3.8 për qind. Megjithatë, treguesi i rritjes ekonomike varet shumë edhe nga rishikimi eventual nga Agjencia e Statistikave, rritjes ekonomike për vitin 2022, e cila mund të influencojë pozitivisht pastaj rritjen ekonomike për 2023 dhe pritjet për vitin 2024”, thotë Ismaili.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë këtyre ditëve ka thekuar se viti 2023 mund të përmbyllet me rritje ekonomike 3.8 për qind.

Kurti: Këtë vit do ta përmbyllim me një rritje ekonomike prej 3.8 për qind

“Këtë vit duket që do të mund ta përmbyllim me një rritje ekonomike prej 3.8 për qind. Inflacioni, sfidë globale është menaxhuar efektivisht në kohë nga një kulm prej 12 për qind në janar të këtij viti, kurse në muajin tetor kemi arriur ta kemi inflacionin 3.3 për qind”, ka theksuar Kurti.

Ndërkaq, me këtë nuk pajtohen deputetet e partive opozitare. Sipas kryetari të Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, qeveria po pretendon t’i rrisë shifrat me të dhëna jo reale, pasi siç thotë ai dështimet e ekzekutivit janë të matshme në fushën e investimeve kapitale dhe rritjen e prodhimit vendor.

Deputeti nga PDK-së, Shala shton se parashikimi real ekonomik lëviz mes 2.5 deri në 2.8 për qind.

Shala: Realisht parashikimet e kryeministrit Kurti, nuk rezultojnë të jenë të sakta

“Mbështetur në atë që shihet në statistikat reale, por edhe mbi bazën e analizës së shumë institucioneve të pavarura, realisht parashikimet e kryeministrit Kurti, nuk rezultojnë të jenë të sakta. Normalisht, se ai duke qenë pjesë e Qeverisë pretendon që shifrat t’i lulojë me shumë të dhëna jo reale matëse, megjithatë, parashikimi real ekonomik lëviz mes 2.5 deri në 2.8 në ekstrem, porse që koha do ta vërtetojë. Pra, parashikimet e qeverisë janë gjithmonë të rritura për rreth 15 për qind më shumë, për të mbuluar mungesën e realizimit të projekteve dhe zhvillimin e vendit. Në këtë relacion janë të matshme dështimet e qeverisë në fushën e investimeve kapitale, në rritjen e prodhimit vendor, rritjen e eksporteve dhe fatkeqësisht në rritjen e importeve”, thotë Shala.

Shala për KosovaPress thotë se pritjet e kryeministrit Kurti me parashikimet e Bankës Botërore kanë dallim të madh.

Shala: Dallimi me parashikimet e BB është i madh

“Dallimi është i madh. Këtu kemi një operim shifrash nga Qeveria duke pas parasysh që shpeshherë kemi pas sinjale që ka pas orvatje të ndërhyn edhe tek Agjencia e Statistikave të Kosovës, pikërisht për të ndikuar politikisht që loja me numra të jetë në operacionet e Ministrisë së Financave, gjegjësisht qeverisë”, shton Shala.

Se qeveria ka dështuar në rritjen ekonomike e thotë edhe deputeti nga AAK, Pal Lekaj. Ai thotë, se në bazë të disa ekspertëve vendore rritje ekonomike pritet të jetë 2.7 për qind.

Lekaj: Kurti po mashtron qytetarët me rritje ekonomike, pritjet janë 2.7 për qind

“Sa i përket rritjes ekonomike, ne jemi mësuar me zhargonin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që ai gjërat e zeza, i sheh të bardha. Edhe në këtë situatë kur proklamon që ka rritje ekonomike, i mashtron qytetarët, sepse nëse marrim kohën kur e ka marrë kryeministri Qeverinë e Kosovës, ka qenë rritja ekonomike 16 për qind, ndërsa nëse sheh trajektoren, kemi rënie të ekonomisë. Kjo qeveri ka dështuar edhe në ekonomi, në segmente tjera dhe për çdo ditë qytetari i Kosovës po varfërohet... Ajo që ka thënë Banka Botërore, aty mund të jetë, por ka edhe disa ekspertë vendor që rritja ekonomike do të jetë 2.7”, tha Lekaj.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit parlamentar për Buxhet, deputeti nga LVV , Armend Muja thotë se deri në fund të vitit rritja ekonomike duhet të jetë rreth 4 për qind.

Muja: Deri në fund të këtij viti ashtu sipas parashikimeve rritja ekonomike duhet të jetë diku rreth 4 për qind

“Besoj se deri në fund të këtij viti ashtu sipas parashikimeve rritja ekonomike duhet të jetë diku rreth 4 për qind. Nëse vëren këtë eurozonën për rajonin e Ballkanit Perëndimor, kryesisht rritja ekonomike po është minus 0 ose 1 për qind, kurse Kosova për shkak të investimeve, eksportit të shërbimeve, konsumit, vazhdon të ketë një rritje solide ekonomike në krahasim me vendet e tjera në rajon...Ka qenë problem edhe vitin e kaluar, ka pas një projeksion prej 3.3 për qind, ndërkohë në matjet tona kishim 5.4 për qind, në fund ASK doli me rreth 3 për qind, pastaj i rishikuan ato shifra dhe erdhën dhe erdhën në 5.2 për qind. Po ashtu edhe në këtë tre mujorin e fundit ishte 2.2 për qind, unë besoj se është më tepër për shkak se ka një përllogaritje të deflatorit që për mua është pak e pashpjegueshme, por besoj se shkalla e rritjes ekonomike do të jetë diku rreth 4 për qind”, thotë Muja.

Muja mes tjerash, rendit edhe faktorët e rritjes ekonomike. Ai thotë se rritja ekonomike derivon për shkak të konsumit të shtuar, investimeve kapitale e publike.

Muja: Rritja ekonomike derivon për shkak të konsumit të shtuar, investimeve private dhe publike

“Gjithsesi ( e arrin 3.8), rritja ekonomike derivon për shkak të konsumit të shtuar, investimet private dhe publike do të jenë më të larta se vitin e kaluar, eksporti i shërbimeve do të jetë rekord, besoj se do të arrijë rreth 4 miliardë deri në fund të këtij viti dhe i cili zvogëlon deficitin e përgjithshëm tregtar”, shton Muja.

Në anën tjetër Banka Botërore po ashtu ka bërë të ditur se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Kosovës do të bie në 3.2% në 2023 nga 3.5% në 2022, duke ulur projeksionin e qershorit me 0.5 pikë përqindje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat