Ekspertët ligjorë i reagojnë Hotit pasi tha se Fondi Sovran dëmton investimet private dhe strukturat ekonomike të shtetit

Ekonomi

Ekspertët ligjorë i reagojnë Hotit pasi tha se Fondi Sovran dëmton investimet private dhe strukturat ekonomike të shtetit

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 22:48
Foto ilustrim

Ekspertët ligjorë të Fondit Sovran kanë dhënë një përgjigje të detajuar ndaj deklaratave të bëra nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti ditë më parë ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me ndikimin e Fondit Sovran në konkurrencën e tregut, investimet private dhe strukturat ekonomike të shtetit.

Në një postim në Facebook, ish-kryeministri kishte argumentuar se ligji dhe dokumenti konceptual për Fondin Sovran mbështeten mbi një ideologji ekonomike që shkon kundër parimeve të liberalizmit ekonomik.

Ky koment ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga grupi punues i Fondit, ku përfshihen Besnik Pula, një profesor i ekonomisë politike, dhe Emanuel Bajra, financier dhe ekspert bankar.

Në reagimin e tyre, ekspertët kanë theksuar konfuzionin që mund të shkaktohet nga përdorimi i termave të ndryshëm ekonomikë nga Hoti, duke përmendur se liberalizmi ekonomik dhe ekonomia sociale e tregut janë dy filozofi të ndryshme, ku e para ndalon ndërhyrjet shtetërore dhe mekanizmat publikë të rishpërndarjes, ndërsa e dyta mbështet një qasje më të ekuilibruar dhe ndërhyrje sociale.

Grupi gjithashtu sjell në vëmendje rëndësinë ndërkombëtare të Fondit Sovran, duke përmendur se sipas GSWF (Global Sovereign Wealth Funds), këto fonde menaxhojnë mbi 11 trilionë dollarë investime globalisht dhe janë të pranishme në kontinente të ndryshme, duke u zbatuar nga shtete të zhvilluara dhe në zhvillim të tilla si Austria, Irlanda, Korea e Jugut, Turqia, Singapuri, Sllovenia, si dhe Etiopia dhe Botsuana.

Fondit Sovranit pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji e definon Fondin Sovran si in­s­ti­tu­ci­on investues dhe zhvi­lli­mor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fon­dit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 mi­li­onë euro dhe mbu­lohet nga Qeveria e Ko­so­vës.

Përmes administrimit të ndërmarrjeve dhe aseteve të Kosovës, Fondi Sovran synon “zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.​

Në projektligj thuhet se Fondi Sovran do të menaxhojë me pasurinë e rëndësishme të Kosovës duke rritur vlerën, performancën dhe kthimin në investimet që do të bëhen.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Sipas vlerësimeve të grupit punues të Projektligjit për Fondin Sovran disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran janë:

Korporata Energjetike e Kosovës

Telekomi i Kosovës

Posta e Kosovës

Kombinati metalurgjik Trepça

Trainkos-i

Infrakos-i

Fondit Sovran do t’i barten nga Agjencia Kosovare e Privatizimit edhe disa ndërmarrje shoqërore dhe asete.

Sipas AKP-së, me potencial ekonomik të lartë janë 94 asete dhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.

Nëntëdhjetë e katër asetet përfshijnë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat