​“Plus market” nga 30 mijë euro të metalta ka 5,6 mijë euro false

Ekonomi

​“Plus market” nga 30 mijë euro të metalta ka 5,6 mijë euro false

Më: 10 dhjetor 2023 Në ora: 17:37
Foto ilustrim

Në artikullin e publikuar dje (e shtunë) në KosovaPress me titull “Plus market” i mbesin 30 mijë euro nga 2 euro false, një bankë i kërkon 5 % për konvertim”, për monedhat falëse në tregun e Kosovës, është bërë një gabim teknik nga autori i shkrimit sa i përket grumbullimit të bankënotave falëse në biznesin “Plus market”.

Këtij biznesi nga 30 mijë euro të metalta me 2 euro, i kanë mbetur 5 ose 6 mijë euro para me 2 euro, e jo siç është raportuar 30 mijë.

Duke Ju kërkuar falje për këtë gabim të lëshuar, Ju lutem që ta përmirësoni tekstin si më poshtë.

Me respekt nga Redaksia

T: “Plus market” nga 30 mijë euro të metalta ka 5,6 mijë euro false

Me shpërndarjen në masë të madhe të monedhave 2 euro false, përveç qytetarëve edhe disa biznese janë duke u dëmtuar rëndë.

Nga kjo dukuri me bankënota falëse ka pësuar biznesi “Plus market”, të cilit iu kanë grumbulluar hiq më pak se 30 mijë euro të metalta me rreth 5,6 mijë euro falëse nga 2 euro.

Pronari i “Plus market” nga Ferizaj i cili njihet për bojkotimin e produkteve serbe, Sylejman Neziri thekson se kjo dukuri me para falëse e ka dëmtuar rëndë si biznes.

Ai thotë se nga 30 mijë euro të metalta mund t’i ketë në posedim 5-6 mijë euro falëse nga 2 euro.

Neziri: Nga 30 mijë euro të metalta mund t’i kemi ndoshta 5-6 mijë euro false

“Unë kam afër 30 mijë euro nga dy euro në dy marketet, për një kohë të shkurt mu kanë bërë. Ka pasur njerëz që kanë ardhur dhe kanë paguar vetëm me 2-she… Unë e di që më dalin mbi 5 mijë euro false, ndoshta edhe 6 mijë. Ato unë kam me i lënë në një vend dhe kam me ia dërgua para qeverisë”, ka thënë Neziri.

Ndërkaq, ai shtoi se shteti duhet t’i kompensojë bizneset me 50 për qind, derisa ka shtuar se është e turpshme që banka t’i ndalë 5 për qind për këmbimin e parave të metalta.

Neziri: Shteti duhet të kompensojnë 50% bizneset

“Tash këto pra duhet t'i mbledhë shteti dhe t'i kompensojë bizneset 50 për qind. Sot telefonova në Fushë Kosovë një menaxhere në një bankë, më tha se t’i marrë paratë e mira, por 5 për qind do të ndalohen”, thekson ai.

Po ashtu, edhe qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë dukuri. Qytetari Sabri Rexha tregoi se në disa vende bizneset nuk ia refuzojnë 2 eurot. Ai, po ashtu, thotë se ka pranuar para false nga një market në vend.

Rexha: Marketi refuzon monedhat nga 2 euro

“Unë kisha rastin dje dhe pardje m’i ktheu nga 2 euro tri copa një nga ato kishte qenë false kur ma ktheu, d.m.th marketi m’i ktheu paratë false... Çka iu bënë parave false? Unë i gjuaj në mbeturina, nuk duhet t’ia jap dikujt tjetër, vetëm i jap në mbeturina dhe kot", thekson ai.

Edhe Muharrem Kosumi, qytetar, tregon se i ndodh shpesh të ketë para false në duar dhe se për këtë çështje ai kërkoi të merren masa nga Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas tij, nëse kjo situatë do të vazhdojë, Kosova mundet të bëhet një shtet ku kontrabandohen monedha false.

Kosumi: Mund të bëhemi si një shtet ku kontrabandohen paratë false

"Po, konkretisht, sot nuk kam pasur para të tjera dhe me dy euro më është dashur të paguaj diçka. Më tha, paguan një ditë tjetër dhe nuk m’i mori. Për kundër asaj se edhe një market ku bleva, i këmbeva 5 euro dhe ata m’i kthyen 4 euro e gjysmë nga dy euro. Aty e provoj me një market, më tha në rregull janë, ashtu m’i dha, por nuk e di. Për këtë duhet marrë masa qeveria, Banka Qendrore e Kosovës të bëjë një zgjidhje... Mund të bëhemi si një shtet ku kontrabandohen paratë, deviza shtetërore dhe ndërkombëtare që është evropiane, që kjo është një çështje e keqe që duhet të marrë masa qeveria për të ndaluar këtë çështje”, thotë ai.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala për KosovaPress, u shpreh se është duke iu bërë e padrejtë qytetarëve me falsifikimin e parave, dhe shtoi se mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjes së monedhës 2 euro-she është që të tërhiqet deri në një kohë të caktuar.

Ai thekson po ashtu se nuk është e drejtë që bizneset të refuzojnë monedhën 2 euro me njoftime në market.

Shala: BQK-ja duhet të tërheqë 2 euro deri në një kohë

“Ndoshta si masë e përhershme BQK-ja do të duhej të tërhiqte 2 eurot deri në një kohë derisa të gjendet një zgjedhjeje ma e përshtatshëm për qytetaret dhe bizneset. Ato 2 euro që i tërheq, nuk besoj që është shumë e madhe ose që është e papërballueshme për BQK-në, duhet të kompensohen bizneseve apo atyre që iu dorëzohen këto 2 euro, d.m.th. nuk ka tjetër rrugëdalje. Kështu qytetarëve u shkelen të drejtat e njeriut përderisa nuk merren 2 euro... Për ne është e pa papranueshme që një biznes e vendos një letër tek arka dhe thotë nuk pranojmë euro të metalit. Nuk ka të drejtë, sepse atë të drejtë e ka vetëm rregullatori Banka Qendrore e Kosovës dhe jo një biznes”, shtoi Shala.

Fehmi Mehmeti, themelues i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, u shpreh se qytetarët duhet të qëndrojnë larg (cash)-it, në mënyrë që të eliminohen paratë false. Monedhat false ai tha se janë duke ndikuar edhe në imazhin e biznesit.

Mehmeti: Qytetarët duhet të qëndrojnë larg (cash)-it

“Në këtë rast këshilla ime ka qenë që sa më larg t’i qëndrohet (cash-it), në mënyrë që pagesa të kryhen përmes kanaleve të sigurta që është sektori bankar, kjo në masë të madhe e ndikon edhe imazhin e biznesit dhe të individëve për arsyeje se ata duke mos pasur njohuri mund të tentojnë që këto para t’i fusin në sektorin bankar... Në ekonomitë siç është Kosova ku ka nivel të lartë të (cash-it), mundësitë për të futur para false janë shumë të mëdha, dhe për këtë arsyeje vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian dhe në Amerikë faktikisht kjo mundësi është shumë e kufizuar duke e pasur parasysh ka ra shumë niveli i përdorimit të parasë fizike, dhe tjetra është që bizneset”, theksoi ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion ditë më parë, në të cilin janë identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, për këtë janë arrestuar 6 persona të dyshuar, që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike 2 euro të falsifikuara

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat