Ismaili: Bankat po e mbështesin bujqësinë me kredi, po sigurohet stabilitet e qëndrueshmëri

Ekonomi

Ismaili: Bankat po e mbështesin bujqësinë me kredi, po sigurohet stabilitet e qëndrueshmëri

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 10:22
Pamje nga vendi i ngjarjes

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) së bashku me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe institucionet financiare kredidhënëse dhe siguruese, ishte pjesë e projektit “Financimi i Bujqësisë dhe Sigurimet Bujqësore, Projektet e IFC-së në Kosovë”.

Ky projekt kishte një rëndësi të veçantë për faktin se fermerëve do t’u mundësonte qasje më të lehtë në financa, kushte më të favorshme dhe qëndrueshmëri të investimit, për shkak të reduktimit të rrezikut nga produktet e sigurimit bujqësor.

“Ky projekt duhej të kishte rëndësi të veçantë edhe për faktin se do të mundësonte që klientët në sektorin e bujqësisë të kenë kushte më të favorshme përmes financimit nga bankat dhe institucionet kredidhënëse, rrisnin konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e zhvillimit pa u bërë barrë e ndihmave shtetërore për mbulimin e humbjeve që lidhen me ngjarjet klimatike sikurse janë ngricat, breshëri, thatësira apo reshjet e tepruara klimatike”, është shprehur Guvernatori Ahmet Ismaili në ngjarjen përmbyllëse të projektit.

Guvernatori Ismaili ka shtuar se ekziston potencial i madh për mbështetje nga industria financiare për kreditimin dhe sigurimin e sektorit të bujqësisë në mbështetjes financiare, zbutjes së rreziqeve dhe rritjes së qëndrueshmërisë.

“Ekziston potencial i madh për mbështetje në këtë sektor edhe nga industria financiare përmes formave të ndryshme, sikurse të kreditimit ashtu edhe të sigurimit të produkteve në funksion të zbutjes së rreziqeve dhe rritjes së qëndrueshmërisë. Mbrojtja financiare, qasja në shërbime financiare, qëndrueshmëria e përgjithshme e këtij sektori dhe rritja e perspektives për zhvillimin ekonomik në përgjithësi, mbetet përkushtime dhe prioritete të BQK-së”, ka shtuar Guvernatori Ismaili.

Guvernatori Ismaili në fjalimin e tij, ka inkurajuar institucionet financiare për të mbështetur bujqësinë, derisa ka dhënë rekomandime konkretet për politikëbërjen në këtë drejtim.

“Inkurajojmë institucionet kredidhënëse që të rrisin kreditimin në sektorin e bujqësisë me kushte sa më të përballueshëm dhe  kompanitë e sigurimeve të rrisin produktet vullnetare dhe mbulimet sidomos në sektorin e bujqësisë, ndërsa rekomandojmë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që me rastin e hartimit të politikave të tilla të mundësojë që sigurimet bujqësore të jenë parakushte për fermerët kur përfitojnë grante dhe subvencionime, që të sigurohet qëndrueshmëria e investimeve, rendimenteve dhe sektorit në tërësi”, ka inkurajuar Guvernatori Ismaili.

“Është e domosdoshme të forcohet angazhimi ynë përmes mekanizmave të ndryshëm si nga politikëbërja ashtu edhe nga perspektiva e mbështetjes financiare dhe siguruese në funksion të gjithëpërfshirjes financiare dhe qasjes në financa me kosto të përballueshme”, ka potencuar Guvernatori Ismaili.

I pari i BQK-së ka treguar se kreditimi në sektorin e bujqësisë në Kosovë nga bankat dhe institucionet jo-bankare nder vite është rritur, dhe aktualisht përbën 2.4 për qind të gjithsej kredive të lëshuara.

“Prej kur ka filluar edhe zyrtarisht projekti e deri më tani, kreditimi për sektorin e bujqësisë nga bankat ka shënuar rritje për 22.8 milionë euro apo 50.7% ku gjithsej portfolio kreditore ka arritur në 67.9 milionë euro, kurse nga institucionet mikrofinanciare ka shënuar rritje për 37.1 milionë euro, ku gjithsej portfolio kreditore ka arritur në 54.2 milionë euro. Kreditimi në sektorin e bujqësisë përbën vetëm 2.4% të gjithsej kredive të lëshuara apo 1.4% të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit (krahasuar me pjesëmarrjen e bujqësisë në Produktit të Brendshëm Bruto me afër 8%), dhe me një normë të kredive jo-performuese prej 3.8%, ende mbetet hapësirë për financim me kushte sa më të favorshme”, tregoi Guvernatori Ismaili.

Të përmendim faktin se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, përveç tjerash, në këtë projekt ka kontribuar në licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve dhe produkteve të kompanive të sigurimeve të cilat kanë shprehur interesimin për të zgjeruar veprimtarinë e tyre për mbulimin e rreziqeve që lidhen me sektorin e bujqësisë.

Në fund, Guvernatori Ismaili ka potencuar se përmes Planit Strategjik të BQK-së 2024-2028 janë adresuar rreziqet klimatike dhe të ambientit.

“Jemi dëshmitarë të kohës se, rreziqet klimatike dhe të ambientit janë bërë problem i këtij shekulli ku qeveritë, rregullatorët, bizneset dhe individët janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme në përgjigje të kësaj çështje kritike. Prandaj, BQK ka adresuar këtë çështje përmes Draft-strategjisë për Ndryshimet Klimatike dhe të Ambientit dhe njëkohësisht përmes Planit Strategjik të BQK-së për periudhën 2024-2028, krahas Strategjisë Kombëtare në nivel të vendit për adresimin e ndryshimeve klimatike dhe të ambientit”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat