Rimëkëmbet euro/ Java e parë e janarit nis me rritje për valutat e huaja

Ekonomi

Rimëkëmbet euro/ Java e parë e janarit nis me rritje për valutat e huaja

Më: 7 janar 2024 Në ora: 21:03
Ilustrim

Monedha europiane ka nisur vitin 2024 me rimekembje. Vetëm në një javë euro ka fituar gati dy pikë kundrejt lekut shqiptar. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë një  euro po këmbehet aktualisht me rreth 105 lekë. Ky është niveli më i lartë i monedhës europiane përballë lekut e  regjistruar në dy muaj.

Agjentët e këmbimit valutor theksojnë se  largimi i emigrantëve që erdhën për festa  mund të ketë ndikuar në sasinë e eurove në qarkullim. Pritet që një nivel i tillë i monedhës europiane kundrejt lekut pritet të vijoj edhe përgjatë këtij viti  me luhatje të vogla.

Viti 2023 mund të konsiderohet si viti i lekut përballë valutave të tjera.

Euro u  nënçmua duke tejkaluar edhe pritshmëritë e agjentëve të tregut. Monedha europiane ka prekur nivelet më të ulëta të shënuara ndonjëherë pasi në korrik zbriti në 100.4 lekë.

Ndërsa përgjatë gjithë vitit 2023 valuta është zhvlerësuar me më shumë se 18 pikë.

Leku ka qenë në revash edhe përballë dollarit por tashmë ka ndryshuar qasje. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë dollari amerikan  ka pësuar rritje duke  prekur nivelin e 96 lekë nga 94 që ishte para disa ditëve. Banka e Shqipërisë ka paralajmruar se do të ndërhyjë përsëri  duke rritur normën bazë të interesit si një mënyrë për të rikthyer në objektiv inflacionin. Të gjitha parashikimet janë që niveli i inflacionit në vendin tonë do të rikthehet në objektivin prej 3% të përcaktuar nga Banka Qendrore në pjesën e parë të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat