Ekonomistët skeptikë se do të arrihet rritja ekonomike prej 4.2%

Ekonomi

Ekonomistët skeptikë se do të arrihet rritja ekonomike prej 4.2%

Më: 14 janar 2024 Në ora: 21:13
Foto ilustrim

Me gjithë paralajmërimet për përshpejtim të rritjes ekonomike të Kosovës për sivjet, ekonomistët ngrenë shqetësime nëse shkalla e paralajmëruar prej 4.2%, do të jetë e mundur të arrihet.

Sipas tyre, kjo nëse ekzekutivi punon në shtyllat kryesore të kësaj fushe, si dhe shfrytëzon buxhetin në projekte që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.

“Rritja ekonomike, edhe kjo e cila predikohet mund të rrezikohet nëse Kosova nuk e përmirëson mjedisin e biznesit, nëse nuk e përmirëson edhe më tepër qeverisjen në ekonomi, nëse nuk e zhvillon transparencën dhe konkurrencën dhe nuk ndikohet në zhvillimin e produktivitetit të punës”, tha Muhamet Sadiku, profesor i ekonomisë.

Edhe nëse rritja ekonomike e paralajmëruar arrihet, e njëjta vlerësohet se s’do të ketë ndonjë ndikim të madh.

“Rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit duhet të jetë rreth 3 përqind. Mendoj se duke pasur parasysh problemet e konservuara dhe ato të rikrijuara, kjo rritje ekonomike është e pamjaftueshme për t’i zgjedhur të gjitha problemet me të cilat përballet Kosova, e të cilat janë serioze”, shtoi Sadiku.

Për ta bërë diferencën në zhvillim e vendit një njohës tjetër i ekonomisë thotë se ekzekutivi duhet të punojë më shumë në realizimin e projekteve që ka nisur viteve të kaluara.

“Këto projekte duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse jo vetëm pakënaqësia e qytetarëve dhe diaspora që po e shijon këtë mungesë të infrastrukturës, por edhe imazhi i Kosovës po dëmtohet çdo ditë e më tepër në mungesë të konkretizimit dhe finalizimit të këtyre projekteve, eqë janë pasqyrë e Republikës së Kosovës”, tha Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.

Për dallim nga parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës për rritje ekonomike prej 4.2%, të dhënat e Bankës Botërore flasin për përshpejtim të rritjes prej 3.9% për sivjet. Një raport i Bankës Botërore për ekonominë globale ka parashikuar që Kosova do të ketë rritjen më të madhe në rajon për 2024-n, pas saj Shqipëria, Mali i Zi e Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat