Për tre muaj u shuan 397 ndërmarrje, 97% e ndërmarrjeve të regjistruara s’i kanë as nga pesë punëtorë

Ekonomi

Për tre muaj u shuan 397 ndërmarrje, 97% e ndërmarrjeve të regjistruara s’i kanë as nga pesë punëtorë

Më: 29 janar 2024 Në ora: 15:32
Ilustrim

Mbi 1 mijë e 600 biznese janë mbyllur në vitin 2023, sipas të dhënave të Aleancës Kosovare e Bizneseve. Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se në tre mujorin e katërt (TM4) janë shuar 397 ndërmarrje, ndërsa janë regjistruar 2 mijë e 821 ndërmarrje.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar shifrat e raportit të tremujorit të katërt për ndërmarrjet e reja dhe të mbyllura.

Sipas këtyre të dhënave, në TM4 2023 krahasuar me TM3, ka rënie të ndërmarrje të regjistruar për -1.08 për qind.

“Në TM4 2023, krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2023) ka rënie për (-1,08%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2022) ka rritje për 7,01% të ndërmarrjeve të regjistruara.” – thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërkohë, gjatë muajve të fundit të vitin 2023, janë mbyllur 397 ndërmarrje apo një rritje prej 5.6 për qind krahasur me TM3.

“Sa i përket ndërmarrjeve të shuara, në TM4 2023 ishin 397 ndërmarrje ose një rritje prej 5,6%, krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2023). Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2022) kishte rënie prej (-13,1%) të ndërmarrjeve të shuara.” – thuhet në raportin e ASK-së.

Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave, ishte aktiviteti ekonomik i preferuar me 718 ndërmarrje të regjistruara. Këto janë aktivitetet e tjera ekonomike.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 718 ndërmarrje të regjistruara (25,5%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 306 ndërmarrje të regjistruara (10,8%); Ndërtimtaria me 283 ndërmarrje të regjistruara (10,0%); Prodhimi me 253 ndërmarrje të regjistruara (9,0%), etj.” – bën të ditur ASK-ja.

Sa të punësuar?

Ndërsa, ndërmarrjet me 1 deri në 4 të punësuar, janë regjistruar më së shumti, teksa nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në kategorinë me më shumë se 250 punëtorë.

“Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 735 ndërmarrje të regjistruara (97,0%); me 5 deri 9 të punësuar janë 52 sosh (1,8%); 10 deri në 19 të punësuar 26 ndërmarrje të regjistruara (0,9%); 20 deri 249 të punësuar me 8 ndërmarrje të regjistruara (0,3%). Ndërsa, në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka ndërmarrje të reja në këtë tremujor.” – njofton ASK.

Në cilat qytete u regjistruan këto ndërmarrje?

Prishtina prin me ndërmarrjet e regjistruar me 942, ndërsa në vendin e dytë është Ferizaj me 250.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 942 ndërmarrje të regjistruara (33,4%); Ferizaj me 250 ndërmarrje të regjistruara (8,9%); Prizreni me 222 ndërmarrje të regjistruara (7,9%); Fushë Kosova me 145 ndërmarrje të regjistruara (5,1%); Gjilani me 139 ndërmarrje të regjistruara (4,9%); Peja me 120 ndërmarrje të regjistruara (4,3%); dhe Gjakova me 113 ndërmarrje të regjistruara (4,0%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.” – thuhet në raportin e ASK-së “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, TM4 2023”.

Sa biznese u mbyllën gjatë vitit 2023?

Ndërkaq, sipas Aleanca Kosovare të Bizneseve (AKB), gjatë vitit 2023 në Kosovë janë mbyllur rreth 1 mijë e 600 biznese.

Si pasojë e mbylljes së këtyre bizneseve, AKB-ja ka thënë se kanë mbetur pa punë rreth 5 mijë punëtorë.

“AKB në bazë të dhënave që posedon të vitit 2023 u mbyllen mbi 1600 biznese të sektorve të ndryshëm nga të gjitha regjionet dhe komunat e Kosovës, këto kompani kishin mesatarisht 1-4 puntorë ku mbetën pa punë rreth 5000 puntorë.” – thuhet në reagimin e tyre.

“Kryetari i AKB-së Agim Shahini e vlersonë se trendi i hapjes dhe i mbylljes së bizneseve në Kosovë gjatë tri vitëve të fundit ishte mesatarishtë i njejtë rreth 11000 biznese të hapur dhe mbi 1600 të mbyllur.” – thuhet tutje.

AKB-ja në reagimin e tyre në Facebook, ka thënë se viti 2023 ishte vit sfiduese në aspektin ekonomik të vendit.

“AKB e vlerson se viti 2023 ishte sfidues për Kosovën si në aspekte ekonomike, politike, integruese dhe në atë të Sigurisë ku ka ndikuar në rënje të investimeve dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Ekonomia kishim rënie të zhvillimit në krahasim me vitet paraprake si në investime, investime kapitale, eksporte por edhe kishim shurje të bizneseve.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e ABK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat