​Investimet për energji të pastër, Kurti: Mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro

Ekonomi

​Investimet për energji të pastër, Kurti: Mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro

Më: 6 shkurt 2024 Në ora: 13:06
Albin Kurti

Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme: Sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum dhe të sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar të financuara nga BE.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është të fuqizohen familjarët e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme dhe të përballueshme.

Kurti shtoi se për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë.

Kurti: Kjo skemë do të ndihmojë bizneset e familjet

Me skemën të cilën po e lansojmë sot, familjet do mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej tre deri në shtatë kilovat, për çfarë do të subvencionohen 250 euro për kilovat, deri në 1 mijë e 750 euro në total. Edhe për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, vlera e subvencionimit do të jete 250 euro për kilovat në kapacitet prej tre deri në nëntë kilovat, mirëpo maksimalisht deri në 2 mijë euro. Ndërkaq, për kapacitetet 10 kilovat e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për kilovat deri në 600 euro në total. Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro. Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se janë duke punuar vazhdimisht për t'i dalë në ndihmë qytetarëve sa i përket energjisë elektrike.

Rizvanolli tha se kjo masë do të ndikojë edhe në ruajtjen e ambientit dhe uljen e faturave të energjisë elektrike.

Rizvanolli: Përftimet nga këto masa janë të mëdha

Përfitimet që qytetarët, bizneset, vendi ynë, ambienti e planeti kanë nga investimet e tilla, janë të shumëfishta, duke filluar nga rritja e efiçiencës së energjisë, ulja e ndotjes e ulja e faturave të energjisë...Aspekti tjetër është se që nga kriza e dimrit të 2021/22, kemi menduar për masat që të marrim për t’i dalë në ndihmë qytetarëve e bizneseve, dhe jemi më fat që BE na ka ndihmuar me një pako prej 75 milion euro. Qëllimi ynë me këtë pako ka qenë të identifikojmë masa të cilave do të kenë ndikim të shpejtë e të ndjeshëm tek qytetarët”, tha Rizvanolli.

Ndërsa, shtoi se janë 17 kompani vendore që ofrojnë shërbime që janë promovuar gjatë ditës së sotme.

Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari i ka bërë thirrje bizneseve ta shfrytëzojnë këtë mundësi që kontribuon në uljen e kostos për energji.

Hajdari: I bëj thirrje bizneseve ta shfrytëzojnë këtë mundësi që kontribuon në uljen e kostos për energji

“Lansimi i këtyre masave përmes mbështjetjes nga Ministria e Ekonomisë dhe BE-së, është i mirëseardhur edhe për zhvillimin e industrisë së vendit. Ju bëj thirrje bizneseve në veçanti ta shfrytëzojnë këtë mundësi e cila kontribuon në shpalosjen e potencialit tuaj të mëtejmë, uljen e kostos për energji”, tha Hajdari.

Ajo poashtu tha se këto masa kanë për qëllim zbutjen e krizës energjetike në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat