Hapet thirrja publike për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar

Ekonomi

Hapet thirrja publike për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar

Më: 16 shkurt 2024 Në ora: 17:30
Foto ilustrim

Ministria e Ekonomisë sot ka hapur Thirrjen Publike për të subvencionuar ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian.

Në njoftim thuhet se për t’u kualifikuar për subvencionim, ndërmarrja duhet të jetë mikro, e vogël apo e mesme sipas Ligjit Nr. 04/L-220 për Investimet e Huaja:

Ndërmarrje mikro të ketë të punësuar deri nëntë (9) punëtorë;

Ndërmarrje e vogël të ketë të punësuar prej dhjetë (10) deri dyzet e nëntë (49) punëtorë;

Ndërmarrje e mesme të ketë të punësuar prej pesëdhjetë (50) deri dyqind e dyzet e nëntë (249) punëtorë.

“Secili aplikues gëzon të drejtën e përfitimit të subvencionit për vetëm një (1) sistem diellor për ngrohjen e ujit sanitar për një (1) biznes dhe sistemi duhet të blihet i ri. Data e blerjes duhet të jetë nga data e shpalljes së thirrjes, e cila fillon më datë 16.02.2024”, thuhet në komunikatë.

Instalimi i sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar subvencionohet 40% e vlerës investive të komplet sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, deri në 300€/m² dhe jo më shumë se 4,000 euro.

Për bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, subvencionohet 200 € më shumë në total, për biznes.

Aplikimi për subvencionim është i ndarë në dy (2) faza dhe në të dy (2) fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Duhet të poseduar llogari individuale apo të biznesit, përmes së cilës platforma e-Kosova do të identifikojë bizneset në të cilat jeni pronar apo përfaqësues i autorizuar. Aplikimi mund të bëhet nga aksionari/ët, apo personi i autorizuar nga kompania.

Kriteri bazë për aplikim është kriteri i konsumit të energjisë elektrike, i cili gjendet në linkun në vijim ku edhe duhet të bëhet aplikimi për subvencionim: https://ekosova.rks-gov.net/493

Informatat e plota të thirrjes mund t’i gjeni në linkun: https://me.rks-gov.net/shpallje-2/

Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është deri më datën 30 prill të vitit 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje.

Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”, andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët.

Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri më datën 31 korrik të vitit 2024

Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth aplikimit mund të drejtoheni me shkrim në email adresën: [email protected]

Apo të kontaktoni në numrat e telefonit: 038 200 215 89 / 038 200 215 55, nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat