​Qytetarët ankohen për ngritje të çmimeve, bëjnë thirrje të rritet edhe paga minimale

Ekonomi

​Qytetarët ankohen për ngritje të çmimeve, bëjnë thirrje të rritet edhe paga minimale

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 17:24
Qytetari

Çmimi i shportës familjare po vazhdon të rritet, pasi sipas statistikave zyrtare rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe pijeve jo alkoolike gjatë muajit janar ishte 2.4 për qind.

Qytetarët e Kosovës që nga viti 2021 kanë filluar të përballen me ngritjen e çmimeve, ku llogaritet se ishte 3.4 për qind. Në vitin pasues, ngritja e çmimeve ishte 12 për qind, kurse në vitin 2023 këto çmime llogaritet se janë ngritur mbi 6 për qind.

Edhe këtë vit, sipas parashikimeve shkalla e inflacionit pritet të jetë 3 për qind.

Kjo ka ndikuar që qytetarët të ankohen se nuk po mund t’ia dalin me pagat që ata i marrin dhe se e kanë të vështirë të mbulojnë nevojat më elementare për jetë. Sipas tyre, paga minimale duhet të jetë 400 euro.

Qytetari Agim Lukova, tha se për disa qytetarë rritja e çmimeve është e vështirë. Për mikrofonin e KP ai u shpreh se gjithçka varet nga të ardhurat e familjes dhe se nëse rriten çmimet, duhet të rriten edhe pagat.

Lukova: Në qoftë se rriten çmimet do të thotë se edhe taksat rriten dhe duhet të rriten edhe rrogat edhe pensionet

“Për dikë është vështirë për dikë është disi për dikë është mirë gjithçka varet të ardhurave që i kanë, por në të vërtetë çmimet në vend që të ulen, vetëm po shkojnë dikën më pak dikën më shumë...03:17 Ka një problem në të gjithë botën në qoftë se rriten çmimet do të thotë se edhe taksat rriten dhe duhet të rriten edhe rrogat edhe pensionet...03:48 Ma merr mendja që duhet të jetë 300 euro ndoshta duhet”

Qytetari tjetër, Musa Meholli, tha se me rritjen e çmimeve, paga minimale në Kosovë duhet të jetë 400 euro, pasi sipas tij jeta është bërë e vështirë, teksa shtoi se edhe shteti duhet të gjejë forma që të lehtësohet jeta e qytetarëve.

Meholli: Me këto çmime që janë tani paga minimale nën 400 euro nuk ka mundësi të del një familje katër anëtaresh

“Sigurisht që janë pagat e vogla, shtrenjtimet janë të mëdha. Jeta është mjaft e vështirë mirëpo edhe shteti nuk ka kapacitete që mundemi t’i plotësojmë këto kërkesa që po i bëjnë qytetarët...01:01 Për qytetarë është jeta mjaft e vështirë por duhet që të punojmë më tepër edhe ata edhe shteti të ketë forma për të grumbulluar mjete që t’ia lehtësojnë jetën e tyre...01:30 Me këto çmime që janë tani, paga minimale nën 400 euro nuk ka mundësi të del një familje katër anëtaresh, tha ai.

Në anën tjetër, Jehar Bardhi, pensioner, tha se çdo qytetar duhet të konsumojë ushqime bio. Ai shtoi se çmimet janë rritur, por jo edhe rrogat e pensionet.

Bardhi: Paga minimale duhet të jetë 400 euro

“Për momentin mesatarja po shkon 65-vjeçar, ai që përdor ushqimet bio mundet me jetuar më shumë, unë për momentin i kam 75 vjet..,05:47 Ushqimet bazike faktikisht janë duke u rritur në krahasim me vitet e më herët. Rritja e rrogave ka mbetur pensionet kanë mbetur çmimet kanë shkuar fantastike të larta...06:10 Paga minimale nën 400 euro nuk mundet të ja del një person vet i dyti”, tha ai

Ndërkaq, qytetari Mehmet Govori u shpreh se nëse rriten çmimet, duhen që të rriten edhe pagat. E sipas tij, paga minimale duhet të jetë 850-900 euro.

Govori: Paga minimale duhet të jetë 850-900 euro

“Për standardin e tanishëm është pak e vështirë nuk është edhe e lehtë por çfarë të bëjmë tani...07:01 Nëse rriten çmimet duhet të rriten edhe pagat edhe pensionet edhe të gjithat duhet të rriten...07:12 Paga minimale duhet të jetë 850-900 minimalja duhet me qenë, sepse njeriu nuk mundet me jetu me këto paga”, tha ai.

Në vitin 2020, inflacioni ishte shumë i vogël me 0.2 %. Ngritja nisi në vitin 2021, me 3.4 %. Vitin 2022 Kosova e ka mbyllur me shkallë mesatare inflacioni gati 12 për qind.

Normës së rritjes së çmimeve siç njihet inflacioni ndryshe, i ka dhënë shtytje pandemia e koronavirusit në vitin 2020/21, e pastaj edhe pushtimi rus i Ukrainës, më 2022. Kurse, viti 2023, sipas parashikimeve të BQK-së, llogaritet se inflacioni arrinte në 6.2 %.

Parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane janë se shkalla e inflacionit në vendet e Ballkanit Perëndimor do jetë 3 për qind në vitin 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat