Rafuna dhe Shahini: Deklaratat për luftë, i frikësojnë investitorët

Ekonomi

Rafuna dhe Shahini: Deklaratat për luftë, i frikësojnë investitorët

Më: 30 prill 2024 Në ora: 10:15
Agim Shahini dhe Lulzim Rafuna

Deklaratat e vazhdueshme të liderëve politikë për rrezik për luftë në Kosovë, po i frikësojnë investitorët e huaj për investime në Kosovë. Kështu thonë për Radio Kosovën përfaqësues të bizneseve dhe njohës të ekonomisë.

Deklarimet e fundit të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës, ku theksojnë se në Kosovë mund të ketë luftë, janë një frikësim për investitorët e huaj dhe të gjithë ata që duan të zhvillojnë bizneset e tyre në Kosovën.

I fundit që ka folur për një gjë të tillë është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili për mediumin ukrainas “European Pravda” ka thënë se mund të përsëritet një sulm i ngjashëm me atë në Banjskë.

Duke folur për Radio Kosovën, kryetari i Aleancës Kosovare të bizneseve, Agim Shahini, tha se deklaratat e tilla vetëm sa e dëmtojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Të gjithë zyrtarët pothuajse pa përjashtime, janë duke përdorur një fjalim të vrazhdë, qoftë në mediume vendore apo ndërkombëtare që Kosova është e pasigurt. Pasiguria e Kosovës vjen nga liderët të cilët nuk krijojnë kushte të punës, nuk krijojnë kushte për investime dhe të gjitha këto për investitorët potencialë janë mesazhe pasigurie, jo-besueshmërie për Kosovën dhe tregun e saj”, tha Shahini.  

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke folur për Radio Kosovën thotë se këto deklarata nuk sjellim investime në Kosovë.

“Ne duhet të kemi shumë kujdes në deklarimet tona, sepse deklarimet për sulme nuk sjellin investime në Kosovë. Ne duhet ta përçojmë mesazhin që Kosova është një vend i sigurt,  një vend i mirë i të bërit biznes, një vend i stabilitetit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë”, tha Rafuna.

Sipas statistikave zyrtare, shumë biznese të Kosovës kanë zhvendosur aktivitetin në shtetet fqinje si në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat