Ministri Hamza tregon sa do të rriten pensionet

Ekonomi

Ministri Hamza tregon sa do të rriten pensionet

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 20:28
Bedri Hamza

Qeveria e Kosovës pritet t’i ketë në buxhetin e vitit të ardhshëm 2 miliardë e 370 milionë euro në dispozicion.

12,5 përqind, apo 261 milionë euro më shumë sesa në buxhetin e vitit të kaluar.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se ky Projektbuxhet parasheh që në vitin 2019 rritja ekonomike të jetë për 4.7 përqind.

“Gjithsej, shpenzimet buxhetore do të jenë në vlerë 2 miliardë e 365 milionë euro, që paraqet një rritje prej 261 milionë euro apo 12.5 përqind më shumë sesa buxheti i vitit 2018. Në kuadër të shpenzimeve, sipas kategorive ekonomike që e kemi këtë buxhet, kemi rritje të planifikuar prej 13 përqind të shpenzimeve rrjedhëse, ku mallrat dhe shpenzimet rriten me 27 përqind, ose 72 milionë euro, duke reflektuar rritjen substanciale të marra për komunat e Kosovës, rreth 10 milionë rritje për barnat esenciale dhe shpenzime të tjera në shëndetësi dhe mbi 20 milionë euro që kemi adresuar vërejtje të auditorit në probleme të akumuluara për 20 vite,si rast i klasifikimit. Subvencionet dhe transferet do të rriten për 16 përqind, ose 83 milionë euro, ku mbi 30 milionë janë dedikuar për rritjen e pensioneve bazike dhe kontributdhënëse...nuk mundet Qeveria e Kosovës të japë lajm më të mirë për kategorinë që është më në nevojë, për pensionistët e Kosovës, sesa rritja prej 15 përqind për pensionet kontributdhënëse dhe rritja 20 përqind për pensionet bazike”, tha ai.

Në të është paraparë rritja e pensioneve bazë prej 20 përqind dhe atyre të kontributdhënësve prej 15 përqind.

Ndërsa, prioritete për Qeverinë do të jenë mbrojtja, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi.

“Institucionet përgjegjëse për sektorin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen, marrin mbështetje të shtuar financiare prej 6 përqind krahasuar me buxhetin e vitit 2018, duke arritur dhe duke tejkaluar për herë të parë shumën prej 200 milionë eurosh për këtë sektor, duke mos përfshirë edhe implikimet e ardhshme nga Ligji i Pagave që e prioritizojnë edhe më tej këtë sektor. Në krahasim me shpenzimet e vitit 2017, kemi dhënë në dispozicion për këto institucione fonde prej 30 milion euro apo 17 përqind më shumë”, tha ai.

Ndërsa kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se “vërtet është një konfirmim, pra, se po hyjmë në një vit të ardhshëm financiar me projeksione të qarta dhe prioritetet po ashtu janë të qarta”.

“Pra, shihet se i është dhënë përparësi ose prioritet mbrojtjes, rendit, gjyqësorit, është shëndetësia, është arsimi, janë pensionet. Bazuar në të gjitha këto që i dëgjuam nga ju, pra, mendoj se mund t’ia konfirmojmë Kosovës, jo vetëm një qëndrueshmëri buxhetore, por edhe një respektim të të gjitha prioriteteve të dakorduara ndërsjellë gjatë kohës së qeverisjes dhe gjatë kohës së identifikimit të këtyre prioriteteve”, tha ai.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka kërkuar që çdo vit buxheti i FSK-së të rritet për 5 përqind, gjë që u mbështet nga Ministri Hamza.

Projektligji për Buxhet ka marrë miratimin e të gjithë ministrave dhe pritet të diskutohet në Kuvend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat