Kjo është shuma që rrezikon të humbë Kosova nëse s’kalon “Kosova e Re”

Ekonomi

Kjo është shuma që rrezikon të humbë Kosova nëse s’kalon “Kosova e Re”

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 16:53
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, deklaroi sot se 19,7 milionë euro është shuma që do t’i kushtojë Kosovës nëse nuk kalon projekti i ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Ai këto komente i bëri në mbledhjen e Komisionit për  Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ku shprehu bindjen se projekti për ndërtimin e “Kosova së Re” do të vazhdojë dhe procesi i ndërtimit të tij do të fillojë vitin e ardhshëm.    

Lluka: Projekti i termocentralit “ Kosova e Re”  do të vazhdojë

“1,3 miliard është investimi do të thotë ekuitet nga “ Contour Global”, do të jetë rreth 400 milionë, financim nga agjencitë për financim të eksporteve do të jenë rreth 400 deri në 500, si dhe OPIC-u 400 deri në 500 milionë euro. Projekti ka vazhduar, është duke ecur në bazë të dinamikës së paraparë, ka filluar, do të thotë diskutimi në mes Contourit dhe kompanisë së OPIC, e cila ka shprehur interesim. Të gjithë janë pajtuar që nëse financohet një projekt i tillë, teknologjia e përdorur të jetë teknologji e fundit, e cila është teknologji ultra super kredite, pra energjia me 42  për qind efiçiencë, e cila është edhe më e përsosur”, tha ministri Lluka.

Ndërkohë që Banka Botërore kohë më parë ishte tërhequr nga përkrahja për ndërtimin e “Kosova e Re”, “Contur Global” ka filluar me negociatat me OPIC. Anëtari i komisionit Dardan Sejdiu ka pyetur ministri Lluka se sa do të jetë kostoja nëse projekti nuk kalon në Kuvend. 

Sejdiu: Sa do jetë kostoja nëse ky projekt nuk kalon në Kuvend?

“Cila është kosto e Republikës së Kosovës nëse ky garancion i sovranitetit, apo cilat janë skenarët, nëse ky garancion i sovranitetit nuk kalon, pra nëse sovrani vendos që mos të kalojë këtë projekt, cila është kostoja.  Sipas jush, sipas para llogaritjeve të juaja, ju e keni prezantuar 1,2 miliard, e keni prezantuar me formulë 30, 70 fillimisht, por tash po del 30 te pjesa tjetër. 30 kredi nga agjencionet eksportuese edhe pjesa tjetër OPIC , kështu po e shoh... Sa mendoni që ka me qenë, ose sa parallogaritni që ka me qenë e kredisë për 70 për qindëshin e financimit që i bie diku  900 milionë euro”, ka thënë Sejdiu.

Ministri Lluka ka deklaruar se nëse ky projekt nuk do të kalojë, atëherë vendi ynë Kosova rrezikon të humbasë 19.7 milionë euro.

Lluka: Nëse ky projekt nuk vazhdon, 19.7 milionë euro do të jetë dëmi

“Kostoja e projektit deri në atë moment 19,7 milionë euro dëmi që mundet me iu shkaktuar nëse ky projekt nuk dështon, qoftë edhe me mos vazhdimin e garancisë bankare brenda  garancisë shtetërore, brenda parlamentit”, u shpreh Lluka.

Ai ka bërë të ditur se kostoja e kredisë do të jetë 4,7 për qind , ndërsa kostoja e projektit alternativ nga Banka Botërore do të jetë 900 deri në 1 miliard euro. Sa i përket borxhit publik, sipas tij, kjo do të jetë 260 milionë euro.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca  e ka quajtur projektin për ndërtimin e “Kosovës së Re” të dëmshëm për Kosovën, pasi sipas vlerësimeve të ekspertëve, energjia elektrike do të shtrenjtohet 46 për qind dhe si e tillë do të jetë e papërballueshme për qytetarët.

Konjufca: Me këtë marrëveshje dëmtohet qytetari i Kosovës

“Njëri prej ekspertëve më të mirë që më ka ra ta dëgjoj për këtë çështje dhe që e ka publikuar një studim për mendimin tim kredibil,  nuk e di a e kanë lexuar ekspertët e juaj, por përfundimet e tij janë shumë shqetësuese. Me këto kondita të cilat ju keni hyrë në marrëveshje, ndodh që çmimi i pritshëm i energjisë elektrike, dhe nëse Kosova e Re  me këto  kapacitete që pretendoni ju do të punojë 100 për qind, masa e kostos në krejt popullatën në Kosovë, nëse mblidhet, do të jetë 340 milionë euro në vit. Nëse kjo mblidhet për 20 vjet, qytetari i Kosovës pritet të dëmtohet në xhepin e tij personal si ekonomi familjare prej 5 deri në 7 miliardë euro”, është shprehur Konjufca.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se nëse kompania kalon çmimin prej 80 eurove, Qeveria e Kosovës ka drejtën e shkëputjes së kontratës.

Krasniqi: Qeveria ka të drejtë të shkëpus kontratën nëse kalohet 80 euro

“Nëse tejkalohet çmimi i synuar, atëherë ju mund të dilni nga kontrata. Nëse doni i themi tavan, nëse doni i themi synim, me rëndësi është se nëse kalohet 80 euro, Qeveria ka të drejtë të tërhiqet prej kontratës pa asnjë penallti. Kjo është për mendimin tim një prej sigurive, e cila është mirë për t’u specifikuar”, tha Krasniqi.

Ndonëse në këtë takim ishte i paraparë edhe diskutimi për funksionalizimin e ndërmarrjes “Trepça”, kjo është shtyrë për një ditë tjetër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat